Partitë e fronit opozitar, Kokëdhima: Rama të largohet, Tahiri të hetohet
Në takimin e partive të fronit opozitar ku marrin pjesë PD me aleatët e saj, ZGJIDHJA dhe LSI-ja, Koço Kokëdhima është shprehur se kryeministri Edi Rama duhet të largohet dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të vihet nën hetim.
Në fjalën e tij në këtë mbledhje, Kokëdhima u shpreh se: “Saimir Tahiri si shefi i “policisë që duam”, si simboli i qeverisë “Rama”, si ministri i brendshëm më jetëgjatë dhe një nga dy “princat trashëgimtarë të Rilindjes” nuk mund të hetohet e gjykohet me Edi Ramën kryeministër”.
Sipas Kokëdhimës, dorëheqja e Edi Ramës është e domosdoshme për të krijuar kushtet minimale që drejtësisë t’i hapet rruga të hetojë Tahirin dhe Ramën.
“Rama duhet të vendoset nën hetim. Pa largimin e këtij kryeministri, nuk mund të ketë hetim, të vërtetë dhe drejtësi. ZGJIDHJA nuk pret që Rama të bëjë vetë dorëheqje. Fronti i madh i opozitës me popullin, inteligjencën dhe shoqërinë civile do ta detyrojë atë të largohet. Lufta për rikthimin e besimit të qytetarëve te forca e tyre, te shteti, drejtësia, ligji dhe demokracia është gjëja më e rëndësishme që na ka mbetur të bëjmë”, tha kryetari i ZGJIDHJA-s

