Parukierja 28-vjeçare vritet me armë në Lezhë, arsyeja për motive të dobta
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një sallon bukurie në qytetin e Lezhës, ku pronarja e dyqanit u qëllua me armë zjarri por që pavarësisht ndihmës së dhënë në spitalin e qytetit, 28-vjeçarja Etleva Ndoka nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Policia e Lezhës njofton se në lidhje me këtë ngjarje ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, 31-vjeçarin Alfred Bardhok Nikollin, ndaj të cilit janë ngritur edhe akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Zyrtarisht deklarohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, por nuk dihen ende detajet e këtij sulmi që ndodhi në dyqanin e marrë me qira nga 28 vjeçarja në Lagjen Gurra ku dhe punonte si parukiere.
Rasti është regjistruar pranë ‘Varrezave të Dëshmorëve”, dhe sipas të dhënave paraprake nga dëshmitarët në vendngjarje, bëhet e ditur se ata kishin dëgjuar të shtëna me armë dhe se kishin parë një person të dilte me vrap nga dyqani.
“Dëgjuam të shtëna me armë, pamë që një grua u transportua në spital. Pamë një burrë që iku me vrap”.
Mësohet se 31 vjecari ka hyrë në parukeri dhe ka qëlluar në drejtim të vajzës. Dhjetëra forca policie janë vënë nën ndjekjen e autorit, duke ngritur postoblloqe në hyrje-daljet e qytetit por ende pa mundur dot ta prangosin.
“Me datë 11.11.2016 është marrë njoftim se në Lezhë, në qytet, ka ndodhur një plagosje. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, që kanë konstatuar se është plagosur me armë zjarri shtetasia E.N., 28 vjeçe, banuese në Lezhë, e cila është transportuar në spitalin e Lezhës nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në deklaratën e policisë.

