Pastrimi i parave, Inspektorati i Përgjithshëm dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare forcojnë bashkëpunimin

Inspektorati i Përgjithshëm dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi institucional, me synim forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në kuadër të proceseve të inspektimit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, në emër të Inspektoratit të Përgjithshëm, dhe Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, z. Ervin Koçi, në emër të AIF-së.

Ky bashkëpunim synon të rrisë kapacitetet institucionale dhe profesionale të strukturave inspektuese për identifikimin në kohë të fakteve dhe rrethanave që mund të lidhen me aktivitete financiare të paligjshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në bazë të marrëveshjes, Inspektorati i Përgjithshëm angazhohet të njoftojë menjëherë Agjencinë e Inteligjencës Financiare për çdo fakt, të dhënë apo rrethanë që ngre dyshime për veprimtari të paligjshme financiare, të konstatuara gjatë ushtrimit të funksioneve të inspektimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Palët do të bashkëpunojnë gjithashtu për shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit me interes të ndërsjellë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Inspektorati i Përgjithshëm do t’u përgjigjet kërkesave për informacion të AIF-së brenda 10 ditëve pune, ndërsa në rastet urgjente afati i përgjigjes do të jetë 3 ditë.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i marrëveshjes është rritja e kapaciteteve profesionale të personelit inspektues. Në këtë drejtim, Agjencia e Inteligjencës Financiare do të mbështesë Inspektoratin e Përgjithshëm përmes materialeve udhëzuese, informacionit mbi tipologjitë dhe indikatorët e rrezikut, si dhe përfshirjes së ekspertëve të saj në aktivitetet trajnuese për inspektorët.

Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së efektivitetit të mekanizmave shtetërorë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Inspektorati i Përgjithshëm dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare mbeten të angazhuar për një bashkëpunim të vazhdueshëm, shkëmbim efektiv të informacionit dhe forcim të kapaciteteve profesionale, me synim rritjen e integritetit, transparencës dhe sigurisë së veprimtarisë financiare në Republikën e Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?