PD i përgjigjet PS: Zgjedhjet e parakohshme vendore dhe parlamentare janë kusht

Partia Socialiste mohoi sot se në tryezën e reformës zgjedhore po diskutohet dhe mundësia e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. Numri dy i PS-së, Taulant Balla ju përgjigj Lulzim Bashës, i cili dje në një intervistë për “ABC News”, tha se reforma zgjedhore afron zgjedhjet.

Por sipas Taulant Ballës zgjedhjet nuk kanë qenë asnjë herë në diskutim dhe nuk janë objekt i takimeve që zhvillon Këshilli Politik për ndryshimin e Kodit Elektoral. “Lulzim Basha paska “konfirmuar” marrëvëshje për zgjedhje të parakohshme! Mbase kjo i vlen si një fantazi e re për të mbajtur ca muaj të tjerë me oksigjen simotrën dhe sivëllezërit e aleancës jashtëparlamentare dhe e mirekuptojmë. Por zgjedhjet e parakohshme nuk janë temë e dialogut me atë aleancë, dmth as me Lulzim Bashën”,- deklaroi Balla në një reagim në Facebook, që sigurisht ka marrë dhe miratimin e Edi Ramës para se të publikohej.

Ndërkohë përfaqësues të PD-së deklarojnë se pas tryezës së reformës zgjedhore, në diskutim nuk janë vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por edhe ato vendore. Sekretari Ligjor i PD-së, Çlirim Gjata tha pas deklaratës së Ballës se reforma zgjedhore është hapi i radhës për të shkuar drejt zgjedhjeve.

Reforma elektorale është një hap i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Është hapi i parë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Hapi i dytë është qeveria tranzitore para çdo palë zgjedhjesh dhe padyshim ndëshkimi i atyre që janë kapur duke blerë vota. Sot është më e qartë se kurrë: Shqiptarët kanë nevojë të dalin nga gjendja ku ndodhet vendi si pasoje e vjedhjes së zgjedhjeve. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme vendore dhe qendrore, janë e vetmja mënyrë për të rikthyer legjitimitetin e institucioneve ne vend!”,- deklaroi Çlirim Gjata.

SHKARKO APP