PD: Pagesat e Ramës për oligarkët vazhdojnë. Po vidhet me dokumente me termin SEKRET SHTETËROR

Partia Demokratike denoncon qeverinë “Rama” për kryerje pagesash të paligjshme gjatë periudhës së emergjencës së koronavirusit, në adresë të oligarkëve.

Në një reagim për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi shprehen se me nënshkrimin “sekret” edhe këto ditë po bëhen pagesa dhe vjedhje të jashtëzakonshme.

Bardhi i bën thirrje kryeministrit që të ndihmojë qytetarët që kanë humbur punën dhe të mos bëj më propagandë dhe justifikime bajate.

“Edi Rama nuk mund dhe nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë si Kryeministër për t’u siguruar shqiptarëve të paktën pagën e mbijetesës. Për qytetarët nuk ka para, nuk ka ushqim, thotë Edi Rama,- sepse kanë rënë të ardhurat, ndërsa për oligarkët vazhdojnë pagesat  dhe nën mbishkrimin sekret kryhet vjedhje e jashtëzakonshme e parave të qytetarëve me tenderat në këtë kohë krize. Paratë janë. Mjafton të ndalësh korrupsionin me tendera dhe të anullosh koncesionet korruptive. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje, jo për propagandë e justifikime bajate”,– deklaron Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Denoncimi i PD për dokumente sekrete lidhet me urdhrat e fundit të qeverisë për situatën e pandemisë. Për shkak të emergjencës kombëtare, një pjesë e blerjeve të domosdoshme kryhen jo me tendera, por me prokurorim të drejtpërdrejtë. Në shumicën e rasteve dokumentacioni për këto marrëveshje mes ministrive dhe subjekteve private klasifikohet “sekret shtetëror”, pasi lidhet me situatën e fatkeqësisë.

SHKARKO APP