PD: Rama po përhap panik. Dhunën e policisë kundër opozitës në Algjeri e prezanton si masa të Spanjës për koronavirusin

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video që shfaqte forcat e policisë duke rrahur qytetarët që rrinin të grumbulluar. Sipas kryeministrit, videoja është bërë në Spanjë për masat kundër koronavirusit dhe Policia Shqiptare do të merrte të njëjtat masa për ata që nuk zbatojnë karantinën.

Ndërkohë rezulton se video nuk ka të bëjë me koronavorusin, por paraqet aksionin e policisë së Algjerisë kundër opozitës së këtij vendin.

Partia Demokratike e cilësoi publikimin e kësaj videoje nga Rama si një gënjeshtër të rrezikshme.

“Sot Edi Rama ka shpërndarë një gënjeshtër të rrezikshme për t’i trembur edhe më shumë qytetarët e Shqipërisë. Video e shpërndarë nga Edi Rama në profilin e tij zyrtar në facebook është mashtrim, sepse ajo është shkëputur nga një protestë antiqeveritare në Algjeri dhe jo nga situata e virusit në Spanjë.  Në Spanjë situata është e rënduar, por një shtet demokratik i Bashkimit Europian nuk vepron kurrë me dhunë ndaj shtetasve të vet, siç gënjen dhe mashtron Edi Rama.  Ai është sot burimi kryesor i panikut dhe pasigurisë në Shqipëri”,- thuhet në reagimin e PD.

Selia blu e cilëson jo efikase strategjinë e Edi Ramës, i cili ka vendosur fasha kohore që detyrojnë qytetarët të dynden në dyqane. “I gjendur i papërgatitur, pa ide dhe në majë të një qeverie të kalbur nga skandalet dhe korrupsioni, ai ka dështuar të qetësojë dhe të kompensojë njerëzit, si dhe të menaxhojë një karantinë të efektshme.  Paradite detyron qytetarët të dynden në dyqane, në drekë i terrorizon me video nga protestat antiqeveritare kundër regjimit autoritar në Algjeri, duke e shitur atë si dhunë që ndodh rëndom në Bashkimin Europian. Kjo është papërgjegjshmëri”,- thuhet në reagimin e PD.

Në deklaratën PS i bëhet thirrje “Edi Ramës të dalë nga shtëpia dhe të bëjë detyrën, t’u japë fund mesazheve që përhapin panik tek qytetarët dhe të përqendrojë të gjithë vëmendjen e tij tek detyrat e Qeverisë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të zgjidhur krizën social-ekonomike që ka krijuar situata”.

Video e publikuar nga Edi Rama në Facebook:

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/279339289718933/

SHKARKO APP