Pengu i Barbana Dinit, natën e aksidentit priste Ergin në takim: Do çoj në fund amanetin e tim vëllai
Këngëtari Ergi Dini u nda papritur nga jeta teksa udhëtonte me motor në mes të Bllokut me një mik, por natën e aksidentit tragjik, natën kur provoi për herë të fundit shpejtësinë dhe adrenalinën që të jepte ngritja e motorit në gomën e parë, ai kishte një takim të rëndësishëm për të ardhmen e tij muzikore.
Portali “BalkanWeb” bën me dije se Ergi Dini do të takohej me motrën e tij, këngëtaren Barbana Dini për të diskutuar në lidhje me xhirimet e klipit pikërisht natën e aksidentit, por ky takim nuk u bë kurrë.
Ergi kishte gati të përfunduara dy këngë, një prej të cilave do të ishte një bashkëpunim me motrën e tij, këngëtaren Barbana Dini. E pikërisht dy këngët e fundit të Ergit, një solo dhe një bashkëpunim me të motrën do jetë edhe amaneti që Barbana do kujdeset ta çojë deri në fund.
Ergi Dini u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 2013 që kur u paraqit në audicionet e “X Factor Albania” atje ku u shqua për një timbër zëri mjaft të veçantë dhe potent gjë që e shpalli fitimtar më pas.
/BW

