Pensionet, dy mënyra për të përfituar shtesë
Nëse mbushni moshën për pension dhe ju caktohet për të përfituar 16 mijë lekë, atëherë mund të merrni shtesë deri në 6 për qind, në qoftë se vijoni të paguani kontributet. Edhe nëse sot jeni pensionistët dhe filloni punë duke paguar kontribute, atëherë përsëri mund të përfitoni shtesë prej 6 për qind. Janë këto dy favorizimet e skemës së re të pensioneve, e cila parashikon që për të gjithë të moshuarit të marrin shtesë.
Kjo do të thotë se një person i cili është në prag të daljes në pension dhe do përfitonte 18 mijë lekë në muaj, duke e shtyrë daljen në pension për 12 muaj, merr shtesë 6%, që do të thotë 1800 lekë më shumë. Për çdo muaj që shtyni daljen në pension, apo për çdo muaj që ndërprisni pensionin dhe ripaguani kontribute merrni 0.5% shtesë në pension, shkruan gazeta “Shekulli”.
“I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute”, thuhet në ligjin për sigurimet shoqërore. “Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes”, – theksohet më tej në ligjin për sigurimet shoqërore.

