PËRGJIMET/ SHISH merr tabulatet, ligji përplas ministrat
Qeveria po përgatit disa ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike” i cili veç ndërhyrjeve të tjera, i jep të drejtë Shërbimit Informativ Shtetëror të ketë akses të drejtpërdrejtë në tabulatet e komunikimit mes përdoruesve të telefonisë.
Nisma e cila është siguruar nga “Shqiptarja.com”, mban firmën e Ministres së Inovacionit, Milena Harito dhe Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas këtij drafti, për ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe luftën ndaj terrorizmit, kompanitë celulare dhe të telefonisë fikse detyrohen që brenda 24 orëve të vendosin në dispozicion të SHISH bisedat e kërkuara prej këtij të fundit.
Në datën 18 nëntor 2016, ajo është nisur për konsultim në disa ministri, pranë SHISH-it, Prokurorisë së Përgjithshme, AKEP, etj.
Por Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Ylli Manjani i LSI-së nuk e ka mbështetur këtë projektligj me dy argumente: cenimin e privatësisë së përdoruesve të telefonisë, dhe mungesës së garancisë ligjore që këto përmbajtje bisedash elektronike apo telefonike nuk do të keqpërdoren.
“Kjo do të sillte një përkeqësim të pariparueshëm të nivelit të ruajtjes së fshehtësisë së komunikimeve dhe të dhënave personale, për sa kohë aksesi u jepet organeve ekzekutive të emëruara pa asnjë ndërhyrje në organet kushtetuese. Këto parashikime nuk e kanë kufizuar detyrimin e ruajtjes së të dhënave. Gjykojmë se duhet të ishin parashikuar llojet e veprave për të cilat mund të kërkohen këto të dhëna, pasi në të kundërt gjithë procesi rrezikon të kthehet në abuzim, nisur nga fakti se për çdo dyshim apo të dhënë lidhur me një lloj vepre penale, propozohet të jepet e drejta për të kërkuar këtë informacion. Përfundimisht sugjerojmë rivlerësimin e nismës”,theksohet në shkresën e Ylli Manjanit.-Dita

