Përloti kuvendin, Gerta ”shpërthen” ndaj Ramës: Mllef dhe lutje…

Fermerja nga Mirdita, Gerta Loku, e cila pak kohë më parë përloti Kuvendin me fjalimin e saj për kushtet e vështira dhe jetën në fshat, ka postuar një letër të dërguar nga një tjetër vajzë kryeministrit, Edi Rama. Gerta Loku ka publikuar në “Facebook” letrën e vajzës e cila kërkon nga kryeministri të ndaloj punimet për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë. “Dje vendosën “përfundimisht” ta shuanin Valbonën dhe lumin e saj. Nuk dua të them përfundimisht, prandaj dhe po e vendos në thonjëza ,sepse nuk dua dhe as nuk do e besoj që nuk do ta dëgjoj më këngën e atij lumi” shkruhet në letër.

Postimi i plotë:

MOS MA PREK VALBONËN

Swiss Digital Desktop Reklama

Letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama

Swiss Digital Mobile Reklama

Po ju drejtohem me një letër të hapur ju, kryeministër i vendit! Po ju drejtohem nga halli, dhe pse do doja shumë të ju isha drejtuar nga qejfi. Po ju drejtohem ,me shpresën se nga ju do marr një përgjigje ,edhe pse e di që ajo përgjigje nuk do vijë, ndoshta kurrë. Por siç thotë Kypling unë do rri ne pritje ,nga pritja pa u lodhur. Po ju drejtohem ndoshta në atë mënyre siç nuk do e pranoja kurrë ti drejtohem dikujt ,po ju drejtohem ne formë lutje.

Sot ,një studente, një bijë e Tropojës ,një bijë e Shqipërisë po ju lutet, po ju përgjërohet. Sot po bie ndesh me të gjitha parimet e mia, me të gjithë ata kufinjtë që i kam vendosur vetes përgjatë këtyre viteve, sot po shemb gjithë ato kulte me të cilat jam rritur, dhe po i përgjërohem dikujt, po i lutem dikujt në këtë rast ju. Sot po ju drejtohem ju, unë jam ajo që po shkruaj ,por në rreshtat e mi burojnë fjalët e zemrat e mijëra qytetarëve ,mijëra banorëve, mijëra shqiptarëve, mijëra të huajve. Fjalët janë të miat, zëri është i të gjithëve.

Zotëri!Të ju pyes diçka?

Keni dëgjuar ndonjëherë për njӕ vend alpin, të vogël të quajtur Tropojë? Një vend që mes gjithash fsheh brenda një bukuri marramendëse, një oaz bukurie të quajtur Valbonë? Ma do mendja i keni dëgjuar këta dy emra ,po sidomos këtë të fundit. Është e pamundur të mos ua ketë shpuar veshët gurgullima aq e ëmbël dhe guximtare e lumit të saj. U kujtuat tani? E dini për kë e kam fjalën?

Po pikërisht pra, për atë! Për atë vendin strehuar mes maleve, mes bjeshkësh, ku toka puth qiellin dhe hedh fryta në lum. E keni gjetur fiks për atë po ju shkruaj. Po ç’ju lidh ju ose mua me Valbonën?! Mua më lidh gjithçka zotëri, mua më lidh vet fjala jetë, se Valbona për mua jetë është, ose jeta m’i ngjan Valbonës: herë e ashpër, herë e qetë, sa krenare aq e përulur sa të merr me të mira aq të hedh drejt shkëmbinjve.

Ndërsa ju zotëri ,s’ma merr mendja të mos ju lidh asgjë. E dini përse? Sepse besoj e keni të paktën një kujtim në atë vend, e keni të paktën një foto, ose një imazh të lehtë kujtimi ku puhiza e lehtë ju ka prekur faqet dhe melodia e ëmbël e ujit ju ka qetësuar mendjen e për një moment ju ka dërguar në një vend tjetër.

S’ma do mendja të mos keni qenë të paktën një herë në Valbonën alpine, ose të paktën një herë të mos jetë hapur një bisedë mes miqsh ku është përmendur emri i saj, ose ose në takime zyrtare dhe konferenca ndërkombëtare kur ju keni treguar të tjerëve për bukuritë e vendit tonë s’ma merr mendja që s’e keni përmendur dhe Valbonën. Emri i saj të vjen vetvetiu ,deshe s’deshe.

Pastaj kur keni bërë mbledhje dhe keni diskutuar për buxhet, për fonde, për statistika ,për turistë besoj e keni dëgjuar dhe këtu emrin e Valbonës kur ju kanë thënë që është rritur numri i turistëve në Shqipëri dhe një ndër vendet më të vizituara ka qenë Valbona. Ju kujtohet apo jo?

Por…

Zotëri! Dje ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte, ose ndoshta ishte e kushtëzuar që të ndodhte në mënyrë që unë t’u shkruaja ju.

Dje morën një vendim zotëri, e dëgjuat? Më mirë të mos e kishit dëgjuar ,dhe unë do doja shumë të mos e kisha dëgjuar.

Dje vendosën “përfundimisht” ta shuanin Valbonën dhe lumin e saj. Nuk dua të them përfundimisht, prandaj dhe po e vendos në thonjëza ,sepse nuk dua dhe as nuk do e besoj që nuk do ta dëgjoj më këngën e atij lumi. Dje ,lufta e paepure e nisur kohë më parë nxori humbës të gjithë tropojanët, të gjithë shqiptarët, të gjithë ata që e duan Shqipërinë, të gjithë humbëm, biles dhe ju zotëri !Dhe ju jeni një nga humbësit e kësaj beteje ,pasi i vetmi fitues në këtë mes është emri HEC! Dhe a pranoni t’ia lini në dorë fitoren dikujt tjetër?

Ju, keni në dorë timonin apo jo? Prandaj bëni diçka se timoni po ju ikën nga duart!

Bëni diçka ju lutem që të mos jeni as ju as ne humbës!

Po ju lutem, po ju përgjërohem ashtu siç nuk i jam lutur as përgjëruar askujt më përpara!

Po ju lutem të vini dorën në zemër, po ju lutem me lot në sy!

Po ju përgjërohem sepse vetëm ju mund të bëni diçka !

Ju lutem zotëri! Mos i lini të na e shkatërrojnë Valbonën!

Mos i lini të na e prekin Valbonën! Ju lutem!

Do jem në pritje të një përgjigje nga ju, një përgjigje që uroj të vijë para se të jetë shumë vonë…

Edona Haklaj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?