Përmbytjet/Dervishaj: Institucionet kanë ndërhyrë menjëherë (VIDEO)
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj ka vijuar inspektimet në terren, duke ndjekur nga afër ndërhyrjet në akset rrugore kombëtare, ku janë evidentuar problematika si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit. Gjatë ditës së djeshme, Ministri Dervishaj ishte në Rrugën e Kombit, në fshatin Klos në Mirditë, ku ekipet e emergjencës dhe firma kontraktore po ndërhyjnë pasi janë regjistruar rrëshqitje dherash.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=FF8jK8h_TJQ&feature=youtu.be” width=”560″ height=”315″]
Ministri Dervishaj tha se pavarësisht problemeve të krijuara si pasojë, Rruga e Kombit është e kalueshme dhe nuk paraqet probleme në qarkullimin e automjeteve, falë dhe angazhimit maksimal të firmës kontraktore dhe ARrSH. Dervishaj nënvizoi se ka një koordinim të mirë mes Ministrive dhe Shtabit të Emergjencave, për t”ju ardhur në ndihmë banorëve të zonave të caktuara, ku paraqiten problematika. Ministri Dervishaj pas inspektimit u takua me banorët e fshatit Klos, ku dëgjoi shqetësimet që ata kanë, duke u angazhuar se në përfundim të kësaj situate do bëhet evidentimi I dëmeve, dhe më pas do të ndërhyet për ti riparuar. Në lidhje me rrëshkitjen e dherave në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, Ministri Dervishaj tha se ekipet e Ministrisë dhe firma kontraktore, kanë ndërhyrë menjëherë, duke liruar aksin rrugor, dhe aktualisht nuk ka asnjë problem me qarkullimin e automjeteve. Dervishaj apeloi ndaj gjithë drejtuesve në automjeteve, që të tregojnë kujdes gjatë këtyre ditëve dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

