Pezullimi i vizave për Kosovën? Hapat që mund të ndjekë Macron, flet këshilltarja e Ramës

Këshilltarja e kryeministrit Edi Rama, Odeta Barbullushi komenton deklaratën që shkaktoi furtunë sot në Tiranë nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ai njoftoi se vendi i tij po pezullon procedurën që parashikon lëvizjes e lirë të shtetasve të Kosovës në Europë, nga 1 janari i 2024-ës.

“Ju kemi besuar për vizat, por e kemi pezulluar sepse fjala nuk po mbahet”, ishte deklarata e Macron për të cilën Barbullushi nënvizoi se ishte presion shumë i qartë e sinjal politik i fortë i dhënë nga kreu i Elizesë. Ajo më tej shpjegoi edhe rrugën teknike që presidentit francez Emmanuel Macron do t’i duhet të ndjekë për të pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Përkthimi më i saktë i asaj çfarë tha Presidenti francez ishte politika e kushtëzimit. Që të dy vendet kanë marrë angazhime të cilave duhet tu përmbahen. Dhe çdo premtimi që BE u ka dhënë është e kushtëzuar me plotësimin e këtyre angazhimeve nga të dy palët. Nga ana teknike liberalizimi i vizave është një vendim i marrë që pritet të vihet në jetë në janar të vitit që vjen.

Ka pasur dhe raste të mëparshme, dhe nuk është aspak e pamundur të thuash që një vend anëtar mund ta kërkojë këtë. Fillimisht kërkesa duhet të kalojë në Komisionin Europian. Të merren parasysh arsyet e dhëna nga vendi anëtar për kërkesën për pezullim të vizave, ose vendimit të vizave për një vend, por më pas do të shkojë kërkesa në Këshillin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo është ana teknike”,-tha në ”A2cnn”.

SHKARKO APP