Pezullohet greva e mësuesve, sindikata: Sot presim dhe shpërblimet
Sindikata e Pavarur e Arsimit ka njoftuar sot se e ka pezulluar grevën njëorëshe të paralajmëruar për sot, të martën, në të gjithë sistemin arsimor të vendit. Shkak i pezullimit është fakti se sindikata ka gjetur zgjidhje për tri nga kërkesat e saj dhe është në negociata edhe për pikën e katërt.
Në takimin që patën dje me ministren e Arsimit Lindita Nikollën, 6 përfaques të sindikatës, pas diskutimeve dhe debateve, u arrit plotësimi i tri kërkesave:
– Ministrja premtoi funksionimin së shpejti të Këshillit Kombëtar dhe të Këshillave Vendore të arsimit parauniversitar.
– Përgatitjen e propozimit të VKM për zgjidhjen e problemit të pagesës së transportit të mësuesve sipas propozimit që kanë dërguar sindikatat.
– Pagesën e orëve mbi normë për të gjithë mësuesit.
Sindikata tha se “pas shume debateve u vendos vazhdimi i negiciatave të martën me specialistët e MAS për gjetjen e mundësive ligjore për dhënien e shpërblimit të fundvitit.
Gjithashtu në takim u vendos se duke filluar nga mesi i muajit janar do të thirren në MAS, drejtuesit e DAR/ZA përballë drejtuesve të sindikatave respektive të çdo rrethi për të diskutuar e zgjidhur problemet e partneritetit dypalësh që nuk funksionojnë.
SPASH njofton “se në kushtet e vazhdimit të bisedimeve për zgjidhjen e kërkesës për shpërblimin, pezullohet zhvillimi i grevës 1-orëshe nesër.Në rast të moszgjidhjes së kërkesës për shpërblim do të njoftoheni për ditën e zhvillimit të grevës njëorëshe.

