Polici në Durrës i përfshirë në trafikun e drogës
Ishin vetë kolegët ata që prangosën policin Fatmir Meço, 33-vjeç, pasi akuzohet për përfshirje në trafikun e drogës. Meço është punonjës i Patrullës në Komisariatin e Policisë së Durrësit. Në pranga ka rënë dhe Fitim Selaci, 19-vjeç, banues në Fushë Krujë, si dhe janë shpallur në kërkim dy persona, A. M., 24 vjeç, dhe R.T., 19 vjeç, me akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.
Arrestimi i punonjësit të policisë Meço u bë pas një hetimi disa mujor, zhvilluar me metoda speciale nga SHÇBA. Nga ky hetim rezultoi se efektivi i Komisariatit të Durrësit bashkëpunonte me Fitim Selacin dhe dy personat e shpallur në kërkim, për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Fatmir Meço duke shfrytëzuar pozicionin e tij, u garantonte pjesëtarëve të grupit lehtësi në mbajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në disa raste, dyshohet se ky punonjës policie ka transportuar dhe shpërndarë edhe vetë lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në banesë atij iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit kanabis, si dhe një presë për paketimin e lëndës naroktike. Në banesën e shtetasit Fitim Selaci në Fushë Krujë u sekuestrua një sasi prej 6.3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

