Policia Rrugore reprezalje shoferave, ja rezultatet e aksionit të djeshëm në Tiranë
Policia e Tiranës ka vendosur mbrëmjen e kaluar disa masa administrative si dhe gjoba, për drejtuesit e mjeteve.
Si rezultat i aksionit të policisë rrugore, janë ndaluar për drejtim mjeti në gjendje të dehur disa persona.
Ja njoftimi i policisë:
Policia Rrugore e Tiranës gjatë 12 orëve të fundit kanë vijuar kontrollet me Drager e Radar.
Kontrolle me Radar në rrugët e brendshme të Tiranës, për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi, duke u bërë burim aksidenti për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Kontrolle edhe me Drager për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Në drejtim të shpejtësisë në qendrat e banuara, Policia Rrugore konstaton me shqetësim që në orët e vona të natës drejtues mjetesh qarkullojnë me shpejtësi dy deri në tre herë më shumë sesa lejon tabela, duke bërë dhe gara shpejtësie.
Në këtë kuadër në orët e para të mëngjesit janë evidentuar 5 raste, ku në një rast është rrezikuar dhe jeta e punonjësve të policisë rrugore.
Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjezit janë pezulluar 25 Leje Drejtimi për dy deri në tre herë më shumë shpejtësi sesa limiti i lejuar në qendrat e banuara.
Përsa i përket drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur rezulton se kemi një ulje të ndjeshme të drejtimit të automjetit në gjendje të dehur, por edhe të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Në këtë kuadër janë arrestuar dy drejtues mjeti në gjendje të dehur.
Si dhe janë pezulluar 15 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, por jo deri në kufijtë e dehjes.
Kontrollet kanë konsistuar edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtueseve që:
•nuk përdorin rripin e sigurimit.
• përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit
•nuk respektojnë sinjalistikën e semaforit
•qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse si dhe pa kontroll teknik të mjetit, etj.
Në këtë kuadër, janë vendosur :
22 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit,
17 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit,
8 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse,
3 masa administrative për shkelje të semaforit,
6 masa administrative për mungesë kontrollit teknik të mjetit,
5 masa administrative për gara shpejtësie,
2 masa administrative për xhama të errët, si dhe 65 masa të tjera administrative të ndryshme.
Janë bllokuar 7 mjete për mosshlyerje të masave administrative mbi 3 masa.
Policia Rrugore e Tiranës , do vijojë kontrollet e pandërprera me Drager e Radar në të gjithë territorin e qarkut Tiranë me qëllimin e vetëm : Rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.

