Poloni: Statuja më e madhe e Virgjëreshës Mari në Evropë, 55 metra e lartë

Më shumë se 55 metra e lartë dhe e pamundur të mos vihet re: në Poloni u përurua një statujë gjigante e Virgjëreshës Mari. Megjithatë, kjo figurë kolosale prej betoni nuk ka vetëm admirues.

Vetë statuja është 40,6 metra e lartë. Bazamenti i saj, i ndërtuar në formën e një kurore, është 15 metra i lartë. Punimet për monumentin, i cili peshon rreth 60.000 ton, zgjatën afërsisht 17 muaj. “Monumenti i Nënës së Zotit” (Pomnik Matki Boskiej) ndodhet në fshatin e vogël Konotopie pranë Torunit, rreth 190 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Varshavë.

U investuan shumë para

Monumenti i Virgjëreshës Mari është ndërtuar nga një donator privat. Sipërmarrësi Roman Karkosik është një nga njerëzit më të pasur në Poloni. 75-vjeçari e ka krijuar pasurinë e tij në industrinë e furnizimit të pjesëve për automjete dhe konsiderohet një nga investitorët më të njohur në bursën polake.

Swiss Digital Desktop Reklama
Statuja madhështore e Virgjëreshës Mari në Konotopie të Polonisë
Statuja madhështore e Virgjëreshës MariFotografi: Kuba Stezycki/REUTERS

Në lidhje me motivimin për ndërtimin e monumentit, multimilioneri deklaroi për gazetën Financial Times vetëm se ai dhe bashkëshortja e tij, Grazyna, e ndërtuan statujën “si shenjë mirënjohjeje ndaj Marisë”. Portali polak i specializuar Architektura Murator vlerësoi kostot e ndërtimit në rreth 23 milionë euro.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe figura e Jezusit si monument gjigant

Maria gjigante e Konotopies nuk është ndërtimi i parë fetar i këtij lloji në Poloni. Që nga viti 2010, në Świebodzin, pranë kufirit me Gjermaninë, ndodhet një statujë gjigante e Jezusit. Ajo është frymëzuar nga statuja e famshme në Rio de Zhaneiro të Brazilit. Figura, së bashku me kurorën, arrin një lartësi prej 36 metrash. Ky projekt u financua atëherë me donacione.

Statuja e Jezu Krishtit në Swiebodzin në Poloni
Statuja e Jezu Krishtit në PoloniFotografi: Piotr Dziurman/imageBROKER/picture alliance

Mendime të ndara në Kishën Katolike

Në Kishën Katolike të Polonisë mendimet për statujën e re të Marisë në Konotopie janë të ndryshme. At dominikan Pawel Guzynski e quajti statujën një “përbindësh të vogël”.

“Ky King Kong në mes të fushës është një formë e viçit të artë”, tha ai për radion private Radio Zet, duke iu referuar Dhiatës së Vjetër. “Sigurisht që mund të ndërtohet një ideologji rreth saj, por sa më shpejt ta harrojmë Konotopien, aq më mirë do të jetë.”

Nga ana tjetër, kancelari i ordinariatit të Kryedioqezës së Gnieznos, Zbigniew Przybylski, vlerësoi te donatori Roman Karkosik dhe bashkëshortja e tij Grazyna “devotshmërinë e tyre personale”./DW/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?