Prefekti i Lezhës, Gjokë Jaku jep dorëheqjen pas 3 viteve në këtë detyrë
Prefekti i Lezhës Gjokë Jaku, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej tre vjetësh në këtë qark. Në një postim të gjatë në Facebook, ai shpreh falënderimet për ata që e kanë mbështetur, por nuk jep arsyet e dorëheqjes, megjithëse pranon gabimet gjatë ushtrimit të detyrës. ”Sigurisht që do vijoj të jem aktor modest në jetën publike lokale me të cilën u lidha prej më shumë 30 vjetësh, në të cilën u rrita e u formësova. Do jem banor i këtij qyteti përjetë, një mik juaji padyshim, i lirë dhe i pandikuar në qëndrimet e mia, antikonformist për probleme që shqetësojnë mjedisin shoqëror, social etj., sepse kështu dua të mbetem”.
Postimi i plotë
Miqtë e mi, bashkëpunëtorë, bashkëqytetarë! Po ndaj me ju se sot kam dorëzuar dorëheqjen time nga funksioni i Prefektit të Qarkut Lezhë punë të cilën e bëj prej afro 3 vjetësh. Së pari, falënderime pafund për administratën që unë drejtova, për korrektësinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, u ndjeva kaq mirë me to.
Së dyti falënderoj me mirënjohje të gjithë ata drejtues të pushtet vendor, Dr. Policisë, ushtrisë e të degëve territoriale të cilët respektuan një kod sjelljeje e bashkëpunimi miqësor. Falenderim pafund për gjithë kontributin e tyre në përballimin me kohë të zgjatur të situatës post tërmeti dhe të pandemisë kryesisht, shumë prej tyre meritojnë vlerësimin e gjithë opinionit.
Së treti, falënderime për të gjithë ata qytetarë që zgjodhen t’më takonin me besim në zyrë, rrugë e kudo, më inkurajuan e mbështetën por dhe më mirkuptuan për mundësitë e mia në zgjidhjen e problemeve të tyre.
Miqtë e mi të rrjeteve sociale! Ka qenë po kaq i rëndësishëm për mua dhe komunikimi me ju, më keni ndjekur e ndjehem ngrohtë me ju, jam përpjekur t’ju ndjek sa kam mundur, sidoqoftë kjo në varësi të kohës time.
Kjo periudhë 3 vjeçare ka qenë një eksperiencë e vlefshme për mua e pas asaj të Q. Shkodër në vitet 1997-2000, më ka plotësuar CV time por jo vetëm. Jam përpjekur gjithnjë të jem i përulur por dhe kërkues për arritjen e objektivave të punës. Sigurisht që në punë dhe gabojmë, unë nuk jam një përjashtim. Jam i lumtur të kem lënë një gjurmë timen të mirë në këtë funksion të rëndësishëm.
Sigurisht që do vijoj të jem aktor modest në jetën publike lokale me të cilën u lidha prej më shumë 30 vjetësh, në të cilën u rrita e u formësova. Do jem banor i këtij qyteti përjetë, një mik juaji padyshim, i lirë e i pandikuar në qëndrimet e mia, antikonformist për probleme që shqetësojnë mjedisin shoqëror, social etj., sepse kështu dua të mbetem.
“Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi” M. Luther King.

