Tirana nuk është plaçkë për t’u djegur!
Të protestosh është e drejtë. Të shkatërrosh qytetin është abuzim me këtë të drejtë. Aktet që përshkruhen sonte në Tiranë — dëmtimi i semaforëve dhe tabelave rrugore, djegia e kazanëve, cenimi i bizneseve private, goditje të disa makinave private me njerëz brenda dhe sulmet ndaj ndërtesave publike — meritojnë një dënim të prerë. Zemërimi politik nuk është leje për t’i vënë zjarrin kryeqytetit.
Çfarë lidhjeje ka një semafor me pakënaqësinë ndaj qeverisë? Çfarë faji ka tregtari që mban familjen me biznesin e tij? Përse qytetari duhet të ketë frikë të dalë në rrugë? Kush shkatërron pronën publike godet paratë e qytetarëve. Kush cenon një biznes privat godet punën dhe bukën e një familjeje.
Nuk mund të kërkosh një shtet më të mirë duke shkatërruar hapësirën ku jetojnë të gjithë. Nuk mund të flasësh në emër të qytetarëve ndërsa i lë në pasiguri. Dhuna e konsumon kauzën dhe ua zë vendin kërkesave të protestuesve paqësorë.
Policia nuk duhet të qëndrojë spektatore përballë kaosit. Duhet të ndalojë aktet e dhunës, të mbrojë qytetarët dhe pronën, të identifikojë autorët dhe t’i vërë përpara përgjegjësisë ligjore. Me vendosmëri, brenda ligjit dhe me forcë proporcionale. Tolerimi i shkatërrimit i jep zemër atij që mendon se rruga i përket më të dhunshmit.
Edhe organizatorët duhet të flasin qartë: të dënojnë çdo akt shkatërrimi dhe të kërkojnë ndalimin e tij. Nuk mjafton të marrësh meritën për pjesëmarrjen dhe të heshtësh kur qyteti dëmtohet. Përgjegjësia politike kërkon qëndrim pikërisht në këto çaste.
Faturën e dëmeve nuk e paguan një emër abstrakt që quhet “pushtet”. E paguajnë qytetarët, edhe ata që protestojnë, edhe ata që nuk pajtohen me protestën.
Tirana është e të gjithëve. Askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng, ta shkatërrojë apo ta djegë për hesap të betejës së vet politike!
PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?
Results
Vota totale: 10073

