Prençi: Banda shtetërore shkatërroi Aeroportin e Rinasit
Eksperti i sigurisë Shemsi Prençi, që ka mbajtur disa poste shtetërore në fushën e sigurisë duke folur në studion e emisionit “Të paekspozuarit” nga Ylli Rakipi tha se banda shtetërore ka shkatërruar Aeroportin e Rinasit.
“Banda shtetërore shkatërroi Aeroportin e Rinasit. Nuk është bërë asnjë mbledhje qeverie për grabitjet. As Ministria e Infrastrukturës nuk ka bërë mbledhje, pas grabitjeve të para. Autoritetin e Aviacionit Civil e drejton ai që shkatërroi rrugën në Kavajë, që nuk duhet të ishte sot në post shtetëror, duhej t’i ndalohej me ligj. Këtu ka një skandal të madh shtetëror. Qeveria ka thënë se fajin e ka Saliu, ndërsa sot hedh përgjegjësi vetëm në njërën palë dhe thonë fajin e ka Kinezi. Strukturat shtetërore kanë dështuar totalisht në siguri, sepse edhe koncesionarin ata e kanë zgjedhur”, tha Prençi.
“Është bërë kontroll në Rinas, ka dalë se ka zero siguri”
Eksperti i sigurisë tha se ka mbajtur edhe post në Autoritetin e Aviacionit Civil u shpreh se në vitin 2015 është kontroll në Rinas e ka dalë se siguria e Rinasit është zero.
“Në vitin 2015 është inspektuar nga instrumente europiane, është audituar me seriozitet dhe ka dalë se Rinasi nuk ka siguri, ka zero siguri. Gjetjet në Aeroportin e Rinasit kanë qenë zero. Autoriteti i Aviacionit Civil ka përgjegjësi të rënda. Autoriteti i Aviacionit Civil renditet në krye për përgjegjësinë, ndërsa përgjegjësi ka edhe Bordi e se në to ka detyra vetë ministri i Brendshëm, i cili vëzhgonte cilësinë e sigurisë. Anëtar Bordi është drejtori i Policisë. Përgjegjësi ka Autoriteti i Aviacionit Civil, Drejtoria e Rinasit, Bankat, Koncesionari sepse nuk i ka kërkuar njeri llogari, Policia ka përgjegjësi për perimetrin”, tha Prençi.
Shemsi Prençi theksoi se zyrtarët e vendit kanë neglizhuar dukshëm në këtë rast dhe siguria ka qenë kaq e ulët në një ditë kur ka pasur vizita të zyrtarëve të lartë të shtetit.

