Ku është shteti?! Frika e policisë nga kritika nuk e shuan detyrimin për të mbrojtur rendin publik

Nëse zjarret dhe shkatërrimet që po denoncohen sot e sonte në Tiranë po vazhdojnë pa u ndalur, institucionet duhet të japin llogari menjëherë. Qytetarët nuk mund të lihen përballë dhunës që po manifestojnë protestuesit që djegin, dhunojnë institucione shtetrore, biznese private, etj, por shteti duhet të bëhet i gjallë.

Ku është shteti? Ku janë drejtuesit që paguhen për të garantuar rendin dhe sigurinë? Detyra e tyre provohet pikërisht kur qyteti rrezikohet. Pas çdo prone të dëmtuar janë paratë e qytetarëve; pas çdo biznesi të cenuar janë puna dhe të ardhurat e një familjeje.

Protesta është e drejtë demokratike. Kryeministri dhe mazhoranca duhet të reagojnë për problemet që ata kërkojnë, por jo shkaterrim e zjarr.

Swiss Digital Desktop Reklama

Djegia dhe shkatërrimi janë veprime për të cilat autorët duhet të përgjigjen. Askush nuk fiton imunitet duke hyrë në një turmë. Askush nuk ka të drejtë ta kthejë pakënaqësinë e vet në frikë për mijëra njerëz të tjerë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nëse policia heziton nga frika e akuzave, drejtuesit e saj duhet ta kuptojnë se frika nga kritika nuk e shuan detyrimin për të mbrojtur qytetarët. Çdo ndërhyrje duhet të jetë e ligjshme, e dokumentuar dhe proporcionale. Por pasiviteti përballë dhunës është dështim që kërkon përgjegjësi.

Policia duhet të ndalojë autorët e shkatërrimeve, të sigurojë provat dhe të mbrojë njerëzit, pronën dhe protestuesit paqësorë. Organizatorët duhet të dënojnë qartë dhunën dhe të kërkojnë ndalimin e saj. Heshtja dhe justifikimet e bëjnë edhe më të rëndë gjendjen.

Tirana nuk është pronë e një partie dhe as plaçkë për zemërimin e kujtdo. Është qyteti ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe rrisin fëmijët.

Kush shkatërron qytetin duhet të përballet me ligjin. Kush e lë qytetin pa mbrojtje duhet të japë llogari. Shteti nuk mund të jetë i pranishëm vetëm kur mbledh taksat dhe të mungojë kur qytetarët kanë nevojë për të!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?