Presidenti Meta: Qeveria të bashkëpunojë me pushtetin vendor për të luftuar koronavirusin në Shkodër

Shkodra është qarku që gjatë tre ditëve të fundit ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të personave të prekur nga koronavirusi.

Presidenti Ilir Meta u ka bërë sot thirrje qytetarëve të Shkodrës që të respektojnë masksimalisht masat për parandalimin e pandemisë. Në një mesazh në Facebook, Presidenti shprehet se ka komunikuar me autoritet lokale të Shkodrës dhe me Ministren e Shëndetësisë për të përballuar sa më mirë situatën. “Theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve dhe kufizimeve të bëra publike për shkak të pandemisë globale ?#COVID19. Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie”,- shprehet Presidenti Ilir Meta.

Mesazhi i plotë i kreut të shtetit, Ilir Meta:

“Nisur nga përkeqësimi i treguesve të përhapjes së pandemisë ? #COVID19 në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot biseda telefonike me Prefektin e Qarkut, z.Çesk Millja dhe Kryetaren e Bashkisë, znj.Voltana Ademi.

U informova prej tyre për situatën dhe përpjekjet e autoriteteve vendore për të ndihmuar banorët e prekur dhe masat e marra për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Duke u shprehur solidaritetin dhe mbështetjen time për të gjithë banorët e Qarkut Shkodër të prekur nga ?#COVID19, të cilëve ju uroj shërim të shpejtë, theksova domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit të masave që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.

Për situatën në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot edhe një bisedë telefonike me ministren e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu.

Theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve dhe kufizimeve të bëra publike për shkak të pandemisë globale ?#COVID19.

Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie.

Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë absolut, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët, në veçanti të Qarkut Shkodër, të respektojnë me përpikmëri protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore”.

SHKARKO APP