Presidenti Meta: Të lehtësohen kostot e mbijetesës për biznesin
Presidenti Ilir Meta i ka bërë apel sot qeverisë që të rrisë përpjekjet për të ndihmuar biznesin. Në një reagim në Facebook, kreu i shtetit shprehet duhen të ketë më shumë ndihma për të lehtësuar kostot e mbijetesës së biznesit gjatë emergjencës së pandemisë.
“Ndërsa duhet rritur efikasiteti i përpjekjeve për mbajtjen nën kontroll të pandemisë në mënyrë që të mos shkojnë dëm sakrificat e deritanishme, është e qartë se duhen shtuar në mënyrën më përfshirëse dhe pozitive përpjekjet për të mbështetur biznesin për të lehtësuar kostot e mbijetesës dhe vazhdimësisë të tij në këto momente”,- shprehet kreu i shtetit në mesazhin e tij.
Presidenti ka publikuar në Facebook dhe një analizë të ish-zëvendësministres së Financave, Irena Beqiraj, e cila shprehet se lënia e biznesit drejt falimentimit është katastrofë ekonomike.
“Gabimi i parë është mendimi që, interesi i biznesit është eskluzivisht vetëm i lidhur me interesat e pronarit / ortakëve . Biznesi është një infrastrukturë ekonomike me të cilin lidhin interesat edhe prosperiteti ekonomik i shumë palëve. Këtu futen punonjësit, rrjeti tregëtar ( furnitorët edhe klientët ) ,bankat edhe shteti. Sot me sektorin privat, kanë lidhur ardhmërinë e tyre ekonomike 516 mijë shqiptarë ose gati 50 % e te punësuarve në Shqipëri. Bankat e nivelit të dytë kanë dhënë 43% të kursimeve tona ose ndryshe 3.6 miliard euro kredi për biznesin dhe qeveria mbledh me shumë se 90% të të ardhurave buxhetore në mënyrë direkte apo indirekte nga sektori privat. Si mund të na shkojë nëpër mend ta lemë të falimentojë “kulakun”, i cili kontibuon me 80% në Prodhimin e Brendëshëm Bruto dhe investimet e tij kapitale janë sa 22% PBB-së, ndërkohë që investimet kapitale të qeverisë ,të zgjedhur me shumicë nga populli janë vetëm 4.9% të PBB ?!”,- shkruan ndër të tjera ish-zëvendësministrja Beqiraj.