Presidenti Meta: Vendimi për negociatat tregon rrugën që duhet të ndjekim

Presidenti Ilir Meta shprehet se vendimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërisë është dokumenti që tregon rrugën që duhet të ndjek shteti dhe institucionet për arritur objektivin.

Në një postim në Facebook, Presidenti ka publikuar edhe qëndrimin e fondacionit Konrad Adenauer, i cili shprehet në analizën e tij se rruga e integrimit fillon tani.

“Konrad Adenauer thoshte: “Të gjithë jetojmë nën një qiell, por nuk shohim të njëjtin horizont”.

Vendimi i fundit i Bashkimit Europian na tregon rrugën e qartë për të arritur objektivin e përbashkët pa shpërdoruar më tej kohën e cila vrapon”,- shkruan kreu i shtetit.

Në deklaratën e Fonacionit theksohet se tashmë nisi puna për Shqipërinë, ndërkohë që monitorimi i kushteve dhe i plotësimit të tyre nga ana e qeverisë shqiptare qëndron tashmë në plan të parë.

Sipas fondacionit Kondrad Adenauer, ky proces kurrsesi nuk duhet të kalojë në një plotësim sa për të kaluar radhën, përkundrazi kushtet duhet të zbatohen e të përmbushen në përputhje të plotë me qëllimin dhe përmbajtjen e tyre.

“Siç thuhet shpesh në futboll “Pas lojës fillon loja”, edhe në këtë rast vlen të thuhet se puna fillon tani. Monitorimi i kushteve dhe i plotësimit të tyre nga ana e qeverisë shqiptare qëndron tashmë në plan të parë e do të jetë fort skrupoloz. Ky proces kurrsesi nuk duhet të kalojë në një plotësim sa për të kaluar radhën, përkundrazi kushtet duhet të zbatohen e të përmbushen në përputhje të plotë me qëllimin dhe përmbajtjen e tyre. Në këtë proces Komisioni Europian do të luajë një rol të rëndësishëm. Ndryshe nga panorama rozë që parashtrohej në progres-raportin e fundit, për të cilin Ministrat e Çështjeve për Europën me vendimin e marrë kanë treguar qartë mendimin e tyre, në të ardhmen do të nevojitet që qeveria shqiptare të ndiqet me frymë konstruktive e kritike dhe të kontrollohet nga afër në punën e saj për plotësimin e kushteve. Edhe Bundestag-u gjerman nuk do të lërë pa përdorur të drejtën e vet parlamentare për të ndjekur nga afër plotësimin e kushteve e në rast nevoje për të shprehur qëndrime në lidhje me përmirësime të nevojshme. Nëse lind nevoja mund të përfshihen edhe vende të tjera të Bashkimit Europian, sidomos nga ato vende, në të cilat parlamenti është po aq i angazhuar për këto çështje siç është p.sh. rasti i Holandës. Edhe në Shqipëri duhet që të gjitha forcat politike të kontribuojnë për plotësimin e kushteve. Të bën përshtypje fakti që qeveria shqiptare teksa shprehej rreth vendimit të marrë pothuajse heshti plotësisht për kushtet e vëna, edhe pse formulimi dhe shtimi i tyre tregojnë se gjendja në muajt e vitet e fundit është bërë edhe më e vështirë se më parë”, theksohet në reagimin e këtij fondacioni.

SHKARKO APP