Projekti i fshehtë! Tunel në Llogara?
Megjithëse pak e lodhshme për drejtuesit e automjeteve, Llogaraja iu jep të gjithëve një pamje mbresëlënëse për ata që duan të shkojnë nga Vlora drejt Himarës e më tej. Por kryeministri Edi Rama foli sot në Vlorë për një projekt të ri, me tunel.
“Do vijojmë investimin për qendrën historike të Vlorës, që do t’i japë qytetit mundësinë të shfaqë identitetin e vetë. Më tutje do vazhdojmë me gjithë aksin që na çon drejt Radhimës dhe Orikumit, vijën bregdetare të Orikumit. Ndërkohë, ne jemi në diskutim për të finalizuar projektin e rrugës nga Orikumi përmes Llogarasë deri poshtë në Himarë, për të cilin po diskutojmë dy variante. Së bashku me ministrin e Infrastrukturës po diskutojmë variantin e transformimit të rrugës ekzistuese në një rrugë me standarde të certifikuara nga BE dhe variantin e një aksi pjesërisht të ri me tunelin në Llogara. Por kjo është në diskutim, mos më kërkoni që sonte ku është tuneli”, deklaroi Rama, gjatë përurimit të Lungomares në Vlorë, një projekt i përbashkët me BE-në.
Tani për tunelin duhet të presim ne dhe qytetarët e Vlorës, pasi kryeministri ka premtuar edhe një aeroport në qytetin bregdetar.

