Dekriminalizimi/Nis hetimin për deputetin. Selami: Akuzat janë politike
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim ndaj deputetit të Lëvizjes Socialist për Integrim, Shkëlqim Selamit për deklarim të rremë. Sot ai ka deponuar për afro 25 minuta para hetuesve të strukturës së dekriminalizimit.
Vetë Selami e cilëson këtë hetim si një sulm politik, ndërsa sipas të dhënave të Prokurorisë ka dokumente që faktojnë se ai ka qenë i proceduar për trafik të qënieve njerëzore nga dhe ku është dënuar në Brindizi, Itali.
Këtë të martë Shkëlqim Selami, deputet në qarkun e Vlorës për afro 25 minuta ka dhënë shpjegime në Prokurorinë e Përgjithshme mbi statusin e personit ndaj të cilit ka nisur një procedim penal për verifikimin e të dhënave për efekt dekriminalizimi.
Burime nga seksioni i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme thanë për “Report Tv” se procedimi ka nisur kryesisht nga materialet e publikuara në media ndërsa kjo zyrë disponon po ashtu të dhëna shtesë në lidhje me statusin që Selami ka në raport me drejtësinë në Itali.
Mësohet se procedimi për Selamin është regjistruar 4 ditë më parë ndërsa ai dëshmoi rreth 25 minuta në Prokurori mbi mosdeklarimin e një dënimi të formës së prerë në Itali. Ky procedim sipas burimeve është regjistruar javën e shkuar ndërsa Selami para hetuesve mësohet ti ketë qëndruar versionit të plotësuar prej tij duke mohuar të ketë dijeni për një dënim nga drejtësia italiane.
Sipas të dhënave të seksionit të dekriminalizimit rezulton se ndaj Selamit ka një procedim penal nga prokuroria e Brindizit në vitin 2007 dhe ky procedim lidhet me veprën penale të trafikut të qenieve njerzore.
Pas marrjes në pyetje nga Prokuroria, Shkëlqim Selami ka reaguar lidhur me dëshminë që ka bërë në organin e akuzës. Sipas deputetit, gjithë kjo është një mashtrim ndaj personit të tij, ndërsa thekson se në Itali në vitin 2007, vit ndaj të cilit rëndon dhe akuza, ai ka qenë me pushime familjare. Selami thotë se në prokuroria sipas tij i kërkoi të sqaronte akuzat politike.
“Isha në prokurori për të sqaruar pozicionin tim. Eshtë mashtrim. Nuk jam dënuar asnjëherë. Në 2007, isha me pushime në Itali, më ndaluan për konfirmim. Si mund të shkoja me pushime në një vend ku pretendohet se paskam qenë dënuar? S’kam pasur asnjëherë proces gjyqësor, gjithçka e kam deklaruar në formularin e Dekriminalizimit. Prokuroria më thirri pas indicies nga KQZ, që në fakt e kishte deklaratën të qartë, por duheshin sqaruar akuzat politike. Jam krejtësisht i pastër ndryshe si mund të merresha me politikë?”,- tha Selami

