Provokimi dhe ftohtësia e Ramës u kaluan mjeshtërisht dhe qetësisht nga Kurti
Nga Enton Abilekaj
Nuk është e lehtë me Edi Ramën. Albin Kurti me siguri e priste të gjente pritjen armiqësore të Kryeministrit të Shqipërisë, u mundua të mos krijonte hapësira për debate, për të mos e mbuluar me tymin e luftës vizitën e parë zyrtare në Tiranë.
Një tentativë për të korrigjuar gjithashtu të shkuarën e shëmtuar të Kryeministrave shqiptarë që bëhen gazi i botës duke lëshuar bomba kundër njëri-tjetrit.
Një përvojë e freskët, e nisur nga Edi Rama dhe e kulmuar po prej tij, me padinë për Ramush Haradinajn.
Në këtë klimë, Albin Kurti kishte mundësinë të dilte fitimtar, duke e forcuar linjën e parardhësit të tij për ta shfrytëzuar deri në fund pozitën e pafavorshme të Edi Ramës përballë shqiptarëve, për t’i dhënë një konfirmim “hajdareve” të Tiranës, duke u ngjitur kështu rolin në piedestalin e heroit, të sapo lënë bosh nga Ramushi.
Albin Kurti mund të merrej gjatë me mini-Shëngenin Ballkanik kur u pyet në konferencë për krah të Ramës, të shfrytëzonte zemërimin në të dyja anët e traut të Rrugës së Kombit, për ta kryeëzuar Edi Ramën mu në zyrën e tij. Në fakt zgjodhi të kundërtën, i dha një mundësi rikthimit të paqes mes dy qeverive, premtoi një rikthim më të madh se kurrë të bashkëpunimit. E quajti “Makro-Shengen”, një epitet kuptimplotë, që thekson zmadhimin e shqiptarëve përpara se të hyjnë në një terren ku janë shumë të vegjël.
Albini si kryeministër nuk njihej. Ai jo vetëm nuk lëshoi asnjë grusht mbi homologun e lodhur- në prag të knock-outit politik, por i uli duart dhe priti i qetë goditjet, që edhe pse pa dëme, e bënë të dyshuar për trukim ndeshjeje.
Trukimi filloi që në zgjedhjen e delegacionit. Rama i nxori përpara Kurtit, 2 ministrat – renegatë të Vetëvendosjes, pavarësisht axhendës së takimeve.
E detyroi Kurtin të shtrëngonte duart me Gent Cakjan dhe Besa Shahinin, pastaj theksoi punën e shkëlqyer të Cakajt, pastaj e quajti “të ri në detyrë” dhe pastaj i përplasi mini-Shengenin si parakusht për heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë.
Atë kufi që është rrëzuar në Morinë nga Shqiptarët dhe është ndërtuar në Kalimash nga Edi Rama me klientët e tij. Edhe pas këtyre grushtimeve të lodhura të lojtarit të plakur, Albini nuk reagoi. Një sakrificë që e vë Kryeministrin e Kosovës në pozitë, por që shmang turpin e madh të sherreve shqiptare, për të cilat Vuçiç do të ishte gati të jepte gjithcka.
Megjithatë Vuçiç nuk doli pa gjë. Insinuatat e Edi Ramës premtuan që, të paktën deri në 2021 do të kemi një ndarje të madhe mes shqiptarëve për qëndrimin ndaj Serbisë. Nga njëra anë, Tirana zyrtare që është gati të bashkëpunojë në emër të shqiptarëve dhe nga ana tjetër, Prishtina zyrtare që mbetet vetëm në refuzimin e saj.
Pavarësisht se Beogradi drejtohet nga ish-Ministri i Markoviçit dhe Milosheviçit, që në vend të kërkonte falje dhe të shtrinte dorën për pajtim, mohon genocidin, ka mundësinë të jetë superior mes përçarjes së shqiptarëve.
Vizita e Albin Kurtit këtë herë, e qetë dhe pa provokime, tentoi ta mbulonte të çarën, të ekspozonte pjesën e shkëlqyeshme të sipërfaqes, por nuk ia arriti. U rezistoi provokimeve të Edi Ramës, i kaloi me buzëqeshje batutat bajate që kërkonin me ngulm replikën, por në fund rezultati ishte i keq. Aq shumë u mundua ta theksojë çarjen Edi Rama, sa nuk mund të fshihej nga premtimet e Albinit për bashkëpunim si kurrë më parë. Ajo që mbeti nga vizita e Kurtit është shija e hidhur e një marrëdhënieje që nuk funksionon, mes një Kryeministri të vendosur për t’i shërbyer cdo iniciative që e ndihmon të rrijë në pushtet dhe një tjetri që është gati të rrezikojë pushtetin kundër çdo iniciative që i dëmton shqiptarët nga të dyja anët e klonit të Kalimashit.
Pavarësisht se rruga e Ramës duket e shtruar më mirë se Rruga e Kombit, Pavarësisht se tashmë e përcolli një homolog shqiptar që nuk pranoi projektet mikluese që dëmtonin Kosovën dhe Shqipërinë, Albin Kurti, pa fjalë, pa replika, pa hatërmbetje, tregoi se do të zgjedhë rrugën më të vështirë.