PS e gatshme për ligjin e votimit të emigrantëve. Po opozita?

Vota e emigrantëve ka vite që premtohet, çdo qeveri ka thënë se do të miratojmë ligjin duke e bërë fakt të kryer, por kanë mbetur vetëm te fjalët pasi deri me tani nuk është zbatuar.

E premtoi Berisha dhe asgjë nuk u bë duke ia lenë fajin opozitës. Më pas erdhi Edi Rama në pushtet. Edhe Rama premtoi, por asgjë.

Në fakt frika e çdo pushteti është se nuk e kontrollojnë dot votën e emigrantit shqiptar nëpër botë. Ndaj hezitojnë dhe nuk e kthejnë në praktikë.

Sot pati një dritë jeshile nga PS. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi ka ndarë me mediat disa nga prioritetet e socialistëve për këtë sesion të ri parlamentar. Gjatë fjalës së tij Çuçi u ndal te procesi i integrimit të vendit drejt BE-së, apo te reforma zgjedhore, siç është vota e emigrantëve apo dhe reforma në drejtësi.

Ai tha se tashmë PS e ka një draft për votën e emigrantëve, ndërsa duhet vetëm konsensusi i opozitës që ai të kthehet në ligj. Kemi një boshllëk që është krijuar nga vendimi i gjykatës Kushtetuese. Ne do të jemi angazhuar që t’i përshtatim këto kushte. Do të adresojmë pa humbur kohë reformën, votën e emigrantëve. Ne duhet të krijojmë mundësinë që të gjithë emigrantët shqiptarë të shprehen me votë për qeverinë që i duhet Shqipërisë. Për fat të keq kjo nuk është realizuar. Ne si PS e kemi qëndrimin tonë, kemi dhe draftin tonë që e kemi adresuar, pritet vetëm konsensusi nga opozita, që më pas ta kthejmë në një ligj dhe t’i japim shqiptarëve atë të drejtë që nuk është e vogël. Edhe opozita shpresoj që ta kuptojë këtë domosdoshmëri për të çuar para një grup nenesh që do të garantonin votën e emigrantëve në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë.”, tha Çuçi.

Pra topin ia kaloi Opozitës në fushën e saj duke aluduar se ne jemi gati, por duhet ta votojë edhe opozita. Kodi Zgjedhor kërkon 84 vota që mazhoranca nuk i ka, veçse nëse e voton Basha dhe grupi i tij.

E rëndësishme mbetet që ligji të miratohet brenda vitit ku emigrantët të votojnë për qeverinë që duan. Të mos harrojmë se emigracioni mund të përmbysë çdo sondazh dhe çdo llogari të partive të vjetra.

 

SHKARKO APP