Punësohej dhe më pas vidhte bizneset, arrestohet 39-vjeçarja Kumrie Zika
Një 39-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim për të vjedhur xhirot ditore. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, hetuesit kanë dokumentuar deri tani pesë raste vjedhjesh.
Sipas policisë, Kumrie Zika, banuese në Tiranë, punësohej përkohësisht në biznese të ndryshme dhe, pasi krijonte mundësinë për të pasur akses te të ardhurat, dyshohet se merrte xhiron ditore dhe largohej nga subjekti.
39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2.
Hetimet, të zhvilluara në kuadër të punës për zbardhjen e veprave penale kundër pasurisë, kanë çuar deri tani në dokumentimin e pesë rasteve të vjedhjeve në subjekte të ndryshme në territorin e Tiranës.
Policia vijon hetimet për të verifikuar nëse 39-vjeçarja është e përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme të vjedhjeve.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

