Qiramarrësi ktheu një çelës. Skema si u përgatit ekzekutimi i Reçit në katin e 9

Duket se zbardhja e ekzekutimit në qendër të Rrëshenit, do të jetë e vështirë. Qitësi profesionist që vrau me vetëm një plumb Kastriot Reçin dy ditë më parë nuk ka patur asnjë shqetësim se dikush mund ta zbulonte teksa priste afrimin e objektivit të tij. Personi që vrau me snajper Reçin, sipas hetimeve rezulton që të jetë qitës profesionist, kjo duke ju referuar mënyrës së ekzekutimit. Dyshimet janë që kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë. Autori ka qëlluar me snajper nga një distance afro 200 metra dhe ka qenë i saktë në shënjestrën e tij, duke lënë të vdekur në vend Reçin duke mos dëmtuar asnjë person tjetër përreth zonës. Prova të forta për grupin hetimor është arma e krimit si dhe parukja që ka përdorur autori që u gjetën në afërsi të tregut të qytetit të Rrëshenit, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar për tu analizuar në laboratorin e Policisë së Shtetit.

Po verifikohen me imtësi dhe kamerat e sigurisë, dy prej të cilave kanë filmuar autorin e ngjarjes por edhe automjetin me të cilin ka ardhur. Duke qenë se autori ka qenë i veshur si grua identifikimi i tij nga pamjet filmike është mjaft i vështirë. Nga ana tjetër, po verifikohet edhe telefoni i viktimës për të parë bisedat telefonike apo dhe mesazhet e kohëve të fundit me ndonjë person të dyshimte. Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper rreth orës 11:00 të paradites së të martës, teksa po hynte në lokalin e tij në qendër të qytetit të Rrëshenit.

Mësohet se qitësi ka qëndruar në apartamentin nr.28 të pallatit 9-katësh, prej të cilës qëlloi. Apartamenti është në pronësi të Gjergj Tomës, sipas dosjes së prokurorisë, ai ka deklaruar para tyre se banesën ia ka lënë me qira gjatë muajve të verës një personi të quajtur Pashk Frroku nga Klosi i Mirditës. Toma ka deklaruar se për apartamentin ka marrë dy herë qira nga 15 000 lekë për muajt korrik dhe gusht dhe se i kishte dhënë qiramarrësit dy çelsa. Më pas, Frroku ia ka dorëzuar atij vetëm një çelës duke thënë se tjetrin e kishte vëllai i tij që kishte ikur në Gjermani. Nga ajo periudhë, sipas Gjergj Tomës apartamenti ka qenë i papërdorur.

Si hyri qitësi në apartament?

Siç shkruhet në dosjen hetimore, personi i dyshuar si qitësi që vrau Kastriot Reçin ka hyrë në pallatin 9 katësh në orën 06:35 minuta. Kamerat kane fiksuar momentin kur personi në fjalë ka zbritur nga një makinë tip “Mercedes Benz” ngjyre gri. Pasi ndalon, ai ka hapur derën e djathtë të pasme të makinës dhe ka nxjerrë dy çanta.

Kamerat e kanë fiksuar personin mashkull të veshur me një xhup të hapur me tegela horizontale. Pasi ka lënë personin në fjalë pranë hyrjes së pallatit, makina është larguar në drejtim të rrugës së tregut. Pak minuta më pas ai futet në banesën nga ku edhe qëlloi duke bërë gati armën, në pritje të objektivit.

Nga ky moment deri pak minuta pas orës 12:00 të mesditës, qitësi ka pritur në banesë duke vëzhguar lëvizjet para lokalit të Kastriot Reçit. Gjatë kësaj periudhe ka pirë ujë dhe ka ngrënë disa kikirikë, të cilat më pas i ka lënë aty dhe janë sekuestruar nga prokuroria. Kur Reçi mbërriti në rrezën e armës, qitësi ka marrë shenjë dhe me një të shtënë ka kryer porosinë duke e lënë objektivin të vdekur.

SHKARKO APP