Rama dhe Kosova/Gjosha: Arroganca e papranueshme. Serbia të kërkojë falje për krimet e luftës
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, teksa ka komentuar samitin e ”Mini-Shengenit Ballkanit”, ku tha se gjuha e kryeministrit Edi Rama ndaj lidershipit në Kosovë është e turpshme dhe e papranueshme. Sipas Gjoshës, ky samit do të jetë dështimi i radhës, sepse nuk është gjithëpërfshirës. “Besoj se një nismë e tillë e ka burimin nga Procesi i Berlinit, pra është një ide e disa viteve më parë. Ajo që nuk kuptoj është se pse u bë kaq i nxituar: A është ky një presion që i bëhet BE për shkak të refuzimit të negociatave?”, u shpreh Gjosha në ”Abc News”.
Më tej argumenton se samiti duhej të bëhej pasi të ishin sheshuar konliktet dhe se duhej të merrnin pjesë të 6 shtetet e Ballkanit Perendimor. “Kosova dhe Serbia janë në një status lufte. Është e nevojshme të kërkohet falje për krimet e luftës dhe të nënshkruhet traktati i paqes mes këtyre dy vendeve. Kjo jo vetëm që s’ka ndodhur por para samitit, Vuçiç mohoi masakrën e Reçakut”.
E pyetur specifikisht për qëndrimin e Ramës në samit dhe deklaratën e tij për Kosovën, Gjosha tha është e turpshme dhe e papranueshme. ”E kam parë kryeministrin të flasë me një gjuhë arrogante brenda vendit por të arrinte deri aty sa të shfaqte arrogancë ndaj një shteti të pavarur, si Kosova kjo është e rëndë”.