Kryeministri Edi Rama ka përsëritur nga Brukseli thirrjen për dialog drejtuar protestuesve që prej më shumë se dy javësh zhvillojnë protesta studentore në Tiranë, por që deri më tani kanë refuzuar të ulen në tryezë me kreun e qeverisë.
Gjatë komunikimit të tij, Rama u shpreh se mbetet i gatshëm të dëgjojë kërkesat e qytetarëve dhe të përballet me kundërshtitë, por theksoi se largimi i tij nga detyra nuk mund të kërkohet nga një grup protestuesish, pasi mandati i tij buron nga vota e qytetarëve shqiptarë.
“Unë jam një njeri që gjithmonë kërkoj të debatoj, të përballem me njerëzit, të sfidoj e të sfidohem. Por nuk është e lehtë kur thua: Po proteston, për çfarë? Do të dëgjohesh? Eja. Dua t’ju dëgjoj, dua të flas me ju. ‘Jo, nuk duam t’ju dëgjojmë, nuk duam të flasim me ty, duhet të ikësh’. Më fal, por nuk ma dhatë ju këtë punë. E kam këtë punë, më është dhënë nga populli shqiptar dhe kam një kontratë, kështu që eja, le të flasim. Jam gati t’ju dëgjoj”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë argumentoi se protestat nuk përfaqësojnë të gjithë shoqërinë, duke i cilësuar zhvillimet si një fazë të re tensioni me pjesëmarrje të kufizuar qytetarësh. Për të një prej sfidave kryesore mbetet gjetja e ekuilibrit mes pritshmërive të qytetarëve dhe mundësive reale ekonomike të vendit. Rama pranoi se kërkesat e njerëzve ndikojnë në mënyrën se si qeveria i trajton politikat e saj, duke theksuar se synimi është të bëhet më shumë për qytetarët.
“A ndikohem? Po ndikohem, sepse po përpiqem të kuptoj si të bëj më shumë dhe si të bëj më mirë. Shqipëria po ecën shumë mirë kur vjen fjala për shifrat, për rritjen, për rrugëtimin europian, për turistët që po vijnë dhe për shumë gjëra. Por, nga ana tjetër, është shumë e qartë: njerëzit duan më shumë nga ajo çfarë krijohet prej ekonomisë. Dhe ajo është ajo çfarë po përpiqemi të trajtojmë”, u shpreh kryeministri.
