Rama i “preu” kokën, Gjiknuri i puth dorën!
Vendimi i Edi Ramës për shkarkimin e papritur habiti publikun dhe sidomos elektoratin socialist, i cili Damian Gjiknurin e vlerëson si një ndër socialistët më konsekuentë në atë parti.
Damiani është djali i Lekë Gjiknurit, një prej shkëncetarëve mē të mirë në fushën e biologjisë, por për kohën kur Leka ishte deputet i PS, shkëlqeu për qëndrimet e tij parimore në parlament, aq sa edhe kundërshtarët politikë e dëgjonin me respekt Lekë Gjiknurin.
Largimi i Damianit, socialistit me gen 24 karat të majtë, pa asnjë justifikim apo akuzë krijoi një thashethemnajë mediatike, të cilën ia përmendën edhe sot në konferencë shtypi kur ishte me Blendi Klosin në Selinë e PS-së.
Pyetja ishte a mos ju largoi Rama se jeni nën hetim për inceneratorin e Elbasanit. Shpjegimi i Damian Gjiknurit, që duket bindës, ishte se nëse si ministër Energjitike nuk e firmosja autorizimin për të prodhuar energji elektrike nga Inceneratori i Elbasanit, atëherë do të kisha shkelur ligjin. Këtë tha ish-ministri Gjiknuri. Dhe me pas nxori vendime qeverie që e detyronin të jepte një autorizim të tillë. Në fakt roli i Gjiknurit në këto histori inceneratori duket krejt periferik, të paktën për aq sa thuhet dhe përcillen dokumente nga mediat.
Një dyshim që sillet rrotull Gjiknurit mbetet për dy fatura pagese hoteli, por ai thotë dhe deklaron se ka dokumentet e kohës ku vërtetohet se hoteli është paguar nga ministria sepse ishte vizitë zyrtare. Kjo vërtetohet thjesht nga SPAK, pasi hoteli nuk merr dy pagesa për një njeri!
Pra nuk besohet se Rama e shkarkoi për këto dy histori, të cilat Gjiknuri i ka sqaruar.
Që Damian Gjiknuri të ketë bashkëpunuar me ish-Presidentin Meta siç akuzohet Arben Ahmetaj, në nxjerrjen e dokumenteve të Inceneratorëve, as kjo nuk besohet pasi nëse ka njeri besnik Edi Rama në PS, ai është Damian Gjiknuri.
Por Gjiknuri bëri një gabim të madh për emrin e tij, por edhe në respekt të Lekë Gjiknurit; duhej të ngrihej në Asamble, sy për sy dhe dhëmb për dhëmb e ti kërkonte kryeministrit Rama se pse e shkarkon duke e hedhur si kurban në oborrin e Sali Berishës.
Damiani nuk e bëri, duke harruar mbiemrin Gjiknuri!