Rama insiston: Porti i ri i Durrësit do ndryshojë fytyrën Shqipërisë, por edhe Ballkanit

“Durrësi, edhe përmes Prishtinës dhe Strugës do t’i japë këtij rajoni një fytyrë të re, duke i çuar në një tjetër nivel standardin tregtar”- shkruan kryeministri Edi Rama në facebook, duke treguar se nuk ka aspak ndërmend të tërhiqet nga plani për portin e Durrësit, paçka se opozita po e sulmon fort shefin e qeverisë.

Ndërsa ai më pas shton se “Porti i Ri Tregtar i Durrësit do të jetë nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër që shkon përtej anës perëndimore”.

KRONIKA E SOTME:

Në Tiranë, autoritetet publikuan sot projektin e portit të ri tregtar të Durrësit. Ai do të vendoset disa kilometra në veri të qytetit, në zonën e quajtur Porto Romano, duke ia shkëputur portit aktual funksionet tregtare.

Në tubimin e sotëm morën pjesë përfaqësues të qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët u shprehën optimistë për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike në rajon, që pritet të sjellë porti i ri tregtar i Durrësit.

Faza e parë e projektit për portin e ri tregtar në porto Romano, me një financim 390 milion euro, parashikon ndërtimin e një terminali konteinerësh, një mur dallgëthyes 1 mijë e 250 metra të gjatë, mure mbrojtës detarë mbi 1 mijë metra gjatësi, një kanal hyrës 200 metra të gjerë dhe mbi 16 metra të thellë, si dhe një seri shërbimesh për anijet e mallrave.

Kryeministri Edi Rama tha në tubim se projekti i studios holandeze “Royal Haskoning DHV sjell një vepër me standarte të larta ndërkombëtare dhe me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal.

“Ambicja jonë është që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe shkon përtej anës perëndimore me gjithë Ballkanin Perëndimor” – thotë zoti Rama.

Kompania ndërtuese e portit tregtar të Durrësit do të zgjidhet pas një gare ndërkombëtare, që pritet të hapet në fund të janarit dhe të mbyllet në korrikun e ardhshëm dhe punimet të nisin brenda vitit 2023.

Ajo do të sigurojë financime për 56 për qind të projektit, ndërsa qeveria shqiptare do të mundësojë 46 për qind të vlerës projektit.

Porti i ri tregtar parashikohet të lidhet me dy porte të thata, që do të vendosen në Prishtinë dhe Strugë si dhe me dy hekurudha në projekt Durrës – Prishtinë dhe Durrës – Shkup.

Studimet për portin dhe hekurudhën mes Durrësit dhe Prishtinës janë financuar nga të dy qeveritë, me besimin se ato do të shumëfishojnë shkëmbimet tregtare aktuale.

“Prishtina do të jetë një qendër e rëndësishme e shpërndarjes së gjithë këtyre konteinerëve, që sot aktualisht janë të lidhur përmes autostradës “Rruga e Kombit”, që lidh portin e Durrësit me Prishtinën e ku vetëm në këtë fazë 30 për qind e mallrave që vijnë në portin e Durrësit vijnë në Kosovë”, thotë Liburn Aliu, ministër i Kosovës për mjedisin, infrastrukturën dhe planifikimin hapësinor.

Porti aktual i Durrësit do të vazhdojë funksionimin, dhe ai do të zhvendoset pasi të jetë ndërtuar porti i ri. Ndërsa marina e madhe pritet të ndërtohet në fazën e dytë, pasi porti të jetë lëvizur në vendndodhjen e re.

Porti i ri që në fazën e parë rrit kapacitetin e përpunimit të mallrave në krahasim me portin ekzistues, ndaj edhe Maqedonia e Veriut do t’i bashkohet punëve për shfrytëzimin sa më të madh të tij. Krahas autostradës dhe hekurudhës mes dy vendeve, pjesë e planeve është edhe ndërtimi i një porti të thatë të Strugë.

“Diskutuam me kryeministrin Rama në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive mbi ndërtimin e një porti të thatë në Strugë, një dimension i ri dhe kreativ, që do të ndikojë në shtimin e këmbimeve tregtare mes dy vendeve dhe është pjesë e pandarë e ndërtimit të portit të ri të Durrësit. Erdhi dita që këtë ide ta hedhim në një marrëveshje të nënshkruar për realizimin e saj”, thotë Artan Grubi, zëvendës-kryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut.

Projektet e qeverisë Rama për të ndarë shërbimet tregtare e turistike në portin e Durrësit, për të zhvendosur portin tregtar të Durrësit dhe ndërtimin e një porti për jahte dhe marina në zonën e portit aktual janë pritur me kritika të forta nga opozita në Tiranë.

Përfaqësues të saj deklaruan në Kuvend se projekti i miratuar pa garë Jaht e Marina është një aferë korruptive e përmasave të mëdha, ku janë përfshirë qeveritarët më të lartë.

Sipas tyre, përveç shkeljeve ligjore, projekti nuk kishte përfitime ekonomike për Shqipërinë, por fitimet më të mëdha do t’i merrnin njerëzit e përfshirë në aferën korruptive qysh nga fillimi. Ndërsa qeveria i ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se ky është investimi i huaj më i madh në Shqipëri.

SHKARKO APP