Rama kapet sërisht me Nard Ndokën
Kryeministri Edi Rama duke folur nga qyteti i Burrelit për platformën “Shqipëria që duam”, ka bërë një krahasim mes njerëzve të thjeshtë të vendit dhe deputetit Nard Ndoka.
Rama ka denoncuar “kulturën e mikut” në administratën shqiptare ku njerëzit nuk denoncojnë rastet e korrupsionit apo të paaftësisë në administratën shtetërore, por detyrohen të kontaktojnë miq me influencë apo të korruptojnë zyrtarët për të marrë shërbimet që u takojnë ligjërisht.
“Çfarë ka më shumë Nard Ndoka se një fshatar i thjeshtë? Çfarë ka më shumë Nard Ndoka se një qytetar që kërkon të drejtën e tij? Pse administrata i përgjigjet Nard Ndokës, ndërkohë që të gjithë të tjerët duhet të japin kafe dhe të gjejnë miq ose kushërinj me influencë? Sepse, Nard Ndoka është deputet?”-ka thënë Rama. “Që sot e tutje do zgjidhni t’i thoni atij nënpunësi që nuk u jep atë që u takon se unë do të raportoj drejtpërdrejt tek ministri”.

