Rama me banorët e Zvërnecit: Projekti do të bëhet, Vlora kthehet në një destinacion të botës. Me protestuesit s’ka negociata
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një dëgjesë me banorët e Zvërnecit, lidhur me infrastrukturën dhe zhvillimin e zonës. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se projekti do të realizohet, se Vlora do të kthehet në një destinacion botëror dhe se nuk do të ketë negociata me protestuesit.
Banorët ngritën shqetësime lokale, ndërsa Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për zgjidhjen e tyre dhe për zhvillimin e mëtejshëm të zonës turistike. “Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kujdesshëm me fjalët. Kam thënë se prona është e kthyer dembabaden. Ajo është kthyer shumë vite më parë, jo në këtë periudhë. Ligji funksionon në mënyrë që pronat e trashëguara të kthehen. Nëse kthimi është i drejtë apo i padrejtë, këtë nuk e vendos unë apo qeveria”, tha kreu i qeverisë.
Qytetari Gentjan Moçka deklaroi se çështja e tij është ende në gjyq dhe se është i habitur se si prona është shitur investitorëve, pa u marrë ende një vendim përfundimtar nga gjykata. “Kam një vërejtje personale për ju. Çështja jonë është ende në gjykim. Pas një jave jam sërish në gjyq për kthimin fizik të pronës. Ju keni thënë se ajo pronë është e trashëguar dembabaden. Kjo më preku, sepse çfarë duhet të pres unë tani nga gjykata? Mua më kanë sorollatur për 35 vite. Për 25 vite luftoi im atë, derisa ndërroi jetë. Më pas u mora unë me këtë çështje”, tha qytetari.
Rama u përgjigj se prona në Zvërnec është tërësisht çështje private, mes pronarëve dhe investitorëve. Sipas tij, është gjykata ajo që vendos se e kujt është prona, dhe jo Qeveria shqiptare. “Unë kam thënë se prona është e kthyer dembabaden. Pronat e kthyera janë prona të trashëguara me ligj. A ka kthime të gabuara apo të padrejta? Me siguri që ka shumë. Por këtë nuk e vendos unë, por vetëm gjykata. Më vjen keq nëse nuk më keni kuptuar drejt, sepse unë nuk përfaqësoj pronarët. Nuk kam asnjë dijeni për marrëveshjet që kanë bërë pronarët me investitorët. Nëse kthehemi pas në kohë, kur ka dalë për herë të parë interesi i familjes së Presidentit të SHBA-së për Sazanin dhe Zvërnecin, unë kam thënë qartë se Sazani është çështje e shtetit shqiptar, ndërsa zona përballë Sazanit është çështje private. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Prandaj, nëse Shqipëria ‘shitet apo nuk shitet’ kur bëhet fjalë për pronën private, këtë e vendosin pronarët, jo qeveria apo protestuesit. Për sa kohë ajo tokë është shitur nga investitorët, ajo është pronë e tyre. Për një subjekt që ka kryer shitjen e pronës, është hapur një hetim dhe për këtë arsye është bllokuar fondi që kanë paguar investitorët. Hetimi nuk zhvillohet për kompaninë, por për një individ që ka shitur pronën”, vijoi Rama.
Sa u përket protestave dhe zhurmës, Rama tha se situata po përdoret si armë nga armiqtë e Shqipërisë dhe të Izraelit. Ai shtoi se po krijohet një narrativë e pavërtetë, sipas së cilës kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, përmes dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, do të sjellë palestinezë në Shqipëri. “Shqipëria është në një luftë hibride. Ne po sulmohemi. E kam parë në media ose në lexime për vende të tjera, por tani po e shoh në vendin tim. Forca të ndryshme po e nxisin këtë që në ditën e parë kur nisi kjo luftë hibride. Nuk po flas për protestat në vetvete, por për një luftë hibride, sepse protestat janë pjesë e saj, në kuptimin që disa po përdorin ndjenjat e njerëzve qëllimmirë për mjedisin. Po përdoret nga armiqtë e Shqipërisë dhe të Izraelit, sepse po përhapet një narrativë se ekziston një marrëveshje e fshehtë mes Netanyahu-t dhe Jared Kushner për të sjellë palestinezë në atë zonë të Shqipërisë. Kjo është një fantazi e plotë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama mbërriti me helikopter në fushën e aviacionit në Vlorë, nga ku u nis drejt Pallatit të Kulturës “Labëria”, ku u prit nga kryebashkiakja Brunilda Mersini dhe drejtuesi politik i qarkut Vlorë për PS, Blendi Çuçi. Në hyrje të takimit, ai firmosi një bluzë të një vajze të vogël. Ndërkohë, gjatë pyetjeve të gazetarëve, nuk pranoi të flasë për media, duke u përgjigjur prerë me një “jo”.
Në daljet e fundit publike pas nisjes së protestave, Rama ka sqaruar se investimi nuk do të tërhiqet, pasi sipas tij 4 miliardë dollarë do ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër të zhvillimit të turizmit. Sali Berisha ka akuzuar mazhorancën se po organizon një anti-miting në Vlorë për të sfumuar protestën qytetare, ndërsa më herët ka pretenduar se pas protestave qëndron vetë Rama për të larguar investitorët dhe për të dëmtuar opozitën.

Thirrja nga protesta para Kryeministrisë: Të shtunën mblidhemi në Vlorë dhe Tiranë
Rama me banorët në Zvërnec: Nëse fitoni në Gjykatë, paratë e ngrira kthehen
Rama në Zvërnec, qytetarët mblidhen për protestën e gjashtë radhazi përballë Kryeministrisë
KOHA JONË SONDAZH




