Rama për protestën e mjekëve në Lezhë: Keni ngatërruar vijën e zjarrit, nuk merrni ju 1 mijë euro

Ditën e sotme mjekët në Lezhë protestuan për shpërblimin e qeverisë. Nga 1 mijë euro që iu ishte premtuar, sipas tyre, për përballimin e situatës me kronavirusin, në llogaritë e tyre qeveria ka derdhur vetëm 5 mijë lekë të reja.

Por kryeministri Edi Rama thotë se shuma që u është dhuruar nuk ka qenë gabim.

Në një postim në Twitter ai shprehet se 1 mijë euro shpërblim do të marrin vetëm ata që janë në vijën e parë të zjarrit, duke nënkuptuar spitalet ku trajtohen të sëmurit më koronavirus.

“Unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000€ mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit! Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë”,- shkruan Rama.

Në reagimin e tij, Edi Rama nuk harron të sulmojë dhe opozitën që ka dalë në krah të mjekëve në gjithë vendin dhe që kërkon trajtim më të mirë financiar dhe mbi të gjitha masa mbrojtëse për gjithë bluzat e bardha.

“Kush i nxit nga jashtë kërkesat për shpërblime pa asnjë sens bën politikën e mbrapshtë që ka bërë gjithnjë dhe do ndëshkohet nga populli, kush nga brenda bëhet mashë politike cënon misionin e shenjtë e moralin e bluzave të bardha në këtë luftë dhe nuk do të justifikohet në vijim!”, shprehet kreu i qeverisë.

Mjekët dhe Infermierët e spitalit të Lezhës kanë reaguar për mos marrjen e shpërblimit. Personeli mjekësor në Lezhë ka dalë me një deklaratë ku shprehen se shumë 5 mijë lekë shpërblim tu shkojnë personave në nevojë. Ata kanë deklaruar gjithashtu se do të vazhdojnë të qëndrojnë në shërbim pasi situata është e vështirë. Përfaqësuesi i mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Rajonal të Lezhës Rigels Cokaj deklaroi se pasi janë njohur dje me vendimin e shpërblimit ata kanë vendosur që të mos e marrin.

“Është një përfaqësi e urgjencës, gjithë stafi, jemi njohur më parë për vendimin e qeverisë në lidhje me shpërblimin që ka premtuar prej 1000 eurosh. Por dje jemi kemi mësuar nga Drejtoria e Spitalit se janë akorduar 5 mijë lek të reja për stafin mjekësor, dhe ne kemi vendosur që këto lek të kalojnë për familjet në nevojë. Spitali Rajonal i Lezhës ka qenë në gatishmëri, dhe do të vazhdojmë të jemi te gatshëm që të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Shërbimi është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet me të njëjtën devotshmëri”, deklaroi ai.

 

SHKARKO APP