Rama tërhiqet përkohësisht nga “pasaportat e arta”: Nuk do heqim dorë nga amnistia fiskale
Kryeministri Rama luajti sot taktikisht para përfaqësuesve të BE të cilët kishin ardhur në Tiranë. U tërhoq nga diçka e vogēl duke mos lëshuar pe tek ajo që mbetet më kryesorja.
Edi Rama në fjalën e tij pas takimit me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrel dhe Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka deklaruar se procesi për miratimin e “Pasaportave të arta” është pezulluar deri kur të sqarohet nga institucionet evropiane.
Por me sa duket Rama ka lëshuar pe në këtë çështje për të mbajtur “amnistinë fiskale” e cila po ashtu ka ngritur shqetësim tek autoritetet e BE-së, pasi risqet për pastrimin e parave të pista janë shumë të larta.
“E kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel europian qëndrimi. Ne e morëm nga vendet e BE nuk e shpikëm. Nuk do të nxjerrim më këtë iniciativë pa parë se si do përfundojë çështja në Gjykatën Europiane. Nëse vendos kundër, kjo çështje është e mbyllur. Kemi folur për amnistinë, qëndrimi ynë është i ditur. Vlerësojmë shumë qëndrimin e delegacionit për të na ofruar ekspertë. Ne nuk heqim dorë, kemi arsyet tona për të menduar se është gjëja e duhur për Shqipërinë“, tha ai.
Me njē stil diplomatik, Edi Rama iu bëri qejfin përfaqësuesve të BE që erdhën në Shqipëri, por prapë do të zbatojë çfarë ka në mendje prej kohësh.