Refleksione në prag të Samitit të Diasporës: Sulltanë dhe Pengje!
Nga Nestor Dede
Dëgjohet si diçka e largët, por koha veç emrin ndryshoi. Pushteti ose “politeia” siç tingëllon më ëmbël në greqisht, pavaresisht nga ngjyrat që mori nëpër kohë, të njëjtën fytyrë tregoi, herë surrat i skuqur ( jo nga pija, por nga dehja), herë i nxirë e herë i qeshur, se keshtu edhe “bota” ia kërkon.
Gati 30 vjet në Greqi emigrantët shqiptarë (po ju kujtoj jo më kot lidhjet e gjakut: vëllai, motra, babai, etj) punuan e luftuan për “ëndrrën” : një punë që mbulon shpenzimet, një çati për familjen, një makinë për të gjezdisur, një pension të mirë dhe, të gjitha këto që secili të ndihet zot në shtëpinë dhe familjen e vet. Të gjithë jemi pengje të ëndrrave tona, por kur sillesh, punon, vërtitesh, lufton dhe ato pak a shumë që fiton, shikon që të fluturojnë me një vendim qeverie a ligj …. Ti arrin e pyet veten përse rron! Një kryeministër i papërgjegjshëm, një qeveri për pushtet, një oponencë batakçinjsh, këta përbëjnë lojtarët e skenës në të cilën rrojmë sot. Populli si dhe ne (ashtu sic përshkruhet edhe në shkrimet e shenjta, por edhe në ato revolucionare) është një kope dhe Ti, pyes unë, je pjesë e turmës- kopesë?!
Deri edhe Ti që erdhe nga fshati më i largët i Shqipërisë kishe shkollim bazë më të lartë se secili nga këta që të ranë për hise të kesh pranë , madje edhe me shumë se Ministri i Arsimit këtu. Përse e lë veten dhe për rrjedhoje familjen tënde në dorën e çdo njerit që të tremb me “ pushtetin” e vet dhe mbështetjet e tij?
Të ndarë dhe me mosbesim tek njeri – tjetri, nuk u desh shumë të na kontrollonin, sepse kishin punuar shumë mirë pararendësit “sulltanë”. U larguam nga njeri – tjetri, u ndamë e zihemi për bajraqe në rërë, harrojmë që dielli ndrin për të tërë.
Ndaj pushtetit të përunjur e ndaj “vëllait” për t’ja ngulur. Kur të vjen dita për tapinë, për të rregulluar njerinë, kujtohemi se na hëngri kurvëria dhe sa e varfër ngeli shtëpia. Lirë e shesim veten, sa nuk e blen më njeri, burrat nëpër plati e gratë nëpër shtëpi.
Me kryetarë shoqatash që mendojnë se janë kapedanë, me hallexhinj që frymën mezi e mbajnë. Me shumë zili për djemtë që punojnë dhe përunjësi ndaj parave që mund të lëshojnë. Realitet i dhimbur e disa i vunë emrin realitet shqiptar, ndodh thonë në emigracion se gjetkë nuk ka të ngjarë.
Kushtrim lëshon partia dhe Uuuu e Urra buçet “burrëria”. Pas “pashallarëve” dhe sulltanit me vrap të vrapojmë, një foto a çdo tjetër kujtim të kemi të tregojmë. Ashtu edhe ne me pushtet “nderohemi” dhe nën hijen tonë mund të vegjetojnë….
Në çdo dy veta , dy janë prijsat vetë, dy janë dhe intrigantët që nuk besojnë në fetë, as në idealet që natën “rrugën u ndriçojnë”, por tek paraja, që nga ndonjë xhep mund të “shpëtojë”.
Flasim për bashkim, por më shumë ndahemi. Skllevër të pushtetit e parasë, mbas dekoratës mbahemi, se punën dikush tjetër e bëri, ai që kalon rrugës dhe nuk t’i hedh sytë; por ti nuk ngurron dhe, pa e njohur, e përçmon., akuzon dhe pas shpine e “përballon”.
Dikur u këndohej burrave dhe pleqërisë, me urti dhe trimëri përballonin vështirësi, sot me lavditë e vjetra rrojmë se vlera nuk kemi që të përçojmë. Asnjëherë nuk jemi marrë me analiza për rrugët dhe idetë, por përkundrazi jemi marrë me biografitë e karakteristikat e njeri- tjetrit, duke iu shmangur maniakisht thelbit të problemit. Për rrjedhojë njeri gëzohet për takimet pa fryt e tjetri shan të parin se për mbretin të mbyt…..
Jemi bashkëfajtorë, se nuk dimë të gjejmë se ç’na bashkon, por presim të dalë ndonjë i madh e i fuqishëm të na “vëjë në rrugë” dhe më shumë shikojmë si e si të bjerë në sy devocioni dhe militantizmi ynë, se sa merremi me pune konkrete ( analizojmë idetë, ndajmë detyrat dhe o burra të bëjmë diçka).
Është skandaloze se si vrapojmë për të marrë fjalën, se si i thurim hymne Unit . Dhe tani, me të drejtë brezi ynë i dytë këtu, na shikon me mosbesim dhe herë – herë me të drejtë rend e na gjykon. Individualizmi ynë i ngushtë na la jo vetëm neve pas, por edhe femijët tanë i pengon. Të drejtat tona janë specifike, mbështeten plotësisht në karten për të drejtat e njeriut, në kushtetutën e vendit dhe në legjistacionin europian në fuqi. Është mëkat dhe largim nga synimet tona që zëri ynë të mos jetë unik, që të mos përfaqësohemi nga intelektualë të denjë, nga njohës të mirë të rregullave dhe formës së jetesës në vendet ku rrojmë. Është e pa imagjinueshme për komunitetet e tjera ndarja në dy a më shumë federata dhe unione, flitet që përgatitet një federatë e tretë dhe e katërt me urdhëra partie greke.
Nuk ka qoshe të këtij vendi, ku të mos gjesh një shqiptar, por vetëm në shumë pak zona a bashki janë të organizuar dhe punojnë edhe për të mirën e bashkësisë. Është koha që ngado që jemi të bashkohemi të zgjedhim e të vëmë përpara vetëm më të mirët, ata që gëzojnë reputacion, ata që shkëlqejnë në punën e tyre, ata që njohin mirë gjuhën dhe sistemin. Është koha që bashkësitë tona të ndërtohen thjesht e qartë vetëm për mbrojtjen e të drejtave tona dhe për promovimin e vlerave tona.
Duhet të largojmë nga vetja frikën e të deklaruarit Shqiptar, frikën për të kërkuar të drejtat politike, duhet të mbrojmë të drejtën tonë, të shokut, mikut a bashkëatdhetarit dhe të bashkuar, do tia arrijmë shpejt e bukur.
Jemi 20 vjet të vonuar dhe s’kemi kohë për të humbur.
*Autori është emigrant prej më shumë se 20 vitesh në Greqi dhe do të jetë pjesëmarrës në Samitin e Diasporës që nis punimet treditore nesër në Tiranë.

