Reforma Territoriale, publikohet propozimi i PS me bashkimet e qytetëve: 46 bashki në total

Këtë të enjte deputetët e grupit parlamentar të PS-së, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0. Këtë propozim ua kanë përcjellë edhe Kryetarëve të Bashkive dhe Këshillave Bashkiakë.

Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Në organizimin e brendshëm të bashkive, si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave, gjetjeve të raportit analitik të ekspertëve dhe nevojës për një model më të mirë përfaqësimi, krijohet një nivel i ri organizimi vendor: “Qyteti”.

Skema aktuale ”Bashki-Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki-Qytet-Njësi Administrative”. Qyteti merr një rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ. Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja. Ky konsolidim e ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Swiss Digital Desktop Reklama

Bashkitë që shkrihen dhe më kë bashkohen

Swiss Digital Mobile Reklama

-Shkrihet bashkia Dimal dhe Poliçan, bashkohet me Beratin
-Shkrihet bashkia Klos dhe i bashkohet Matit
-Shkrihen bashkitë Cërrik dhe Belsh dhe i bashkohen Elbasanit
-Shkrihet bashkia Prrenjas dhe i bashkohet Librazhdit
-Shkrihet bashkia Patos dhe i bashkohet Fierit
-Shkrihet bashkia Divjakë dhe i bashkohet Lushnjës
-Shkrihet bashkia Libohovë dhe i bashkohet Gjirokastrës
-Shkrihet bashkia Memaliaj dhe i bashkohet Tepelenës
-Shkrihet bashkia Këlcyrë dhe i bashkohet Përmetit
-Shkrihet bashkia Maliq dhe i bashkohet Korçës
-Rinasi i bashkohet Tiranës, mbetet bashkia e Vorës
-Shkrihet bashkia Selenicë dhe i bashkohet Vlorës
-Shkrihet bashkia Fushë-Arrëz dhe i bashkohet Pukës

Deklarata e plotë nga PS

Sot, deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0. Gjithashtu, këtë propozim ua kanë përcjellë edhe Kryetarëve të Bashkive dhe Këshillave Bashkiakë. Për të ndërtuar një reformë të mbështetur në fakte dhe në nevojat reale të territorit, që në fillim mazhoranca zgjodhi një model të pazakontë bashkëpunimi politik: bashkëdrejtimin e Komisionit dhe përfaqësimin e barabartë të mazhorancës dhe opozitës. Ky organizim u zgjodh me bindjen se një reformë që prek organizimin e territorit dhe jetën e komuniteteve nuk duhet të jetë çështje e një pale politike apo e një mandati të vetëm.

Pas përfundimit të mandatit të Komisionit, mazhoranca u gjend përpara një zgjedhjeje të qartë: ta linte pa rezultat një proces të nisur dy herë, me dy komisione të posaçme, ose ta vijonte atë me përgjegjësi, duke i kthyer dëgjesat në territor, ekspertizën dhe analizën e ekspertëve në një propozim konkret. Mazhoranca zgjodhi të vazhdojë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë kohë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ndërtimit të bashkive europiane. Që në fillim të procesit, mazhoranca zgjodhi rrugën e dialogut, duke i ofruar opozitës çdo mundësi për të dhënë kontributin e saj dhe duke pranuar kërkesën për paritet në Komision dhe për bashkëkryesimin e tij. Ishte një zgjedhje e vetëdijshme, sepse mazhoranca besoi se një reformë që prek organizimin e territorit dhe të pushtetit vendor fiton më shumë vlerë kur ndërtohet mbi sa më shumë dakordësi.

Z. Arbjan Mazniku, në cilësinë e Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm, shprehu mirënjohjen për kolegët e opozitës që morën pjesë në një proces të hapur dëgjesash publike, diskutimesh dhe pune në Komision. Ai u shpreh se është i bindur se shumë prej tyre ndajnë të njëjtin shqetësim dhe të njëjtin qëllim me mazhorancën: që bashkitë dhe qytetet e Shqipërisë të kenë një organizim më efikas dhe më përfaqësues, si dhe që qytetarët të marrin shërbime më cilësore. Komisioni parlamentar u angazhua në një proces të paprecedentë. Pas dëgjesave në 11 qarqe dhe konsultimeve me mbi 3 500 qytetarë, përfaqësues vendorë, përfaqësues të biznesit, universiteteve dhe shoqërisë civile, u konstatua se Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014 shënoi një ndryshim themelor në organizimin e pushtetit vendor në Shqipëri.

Ajo i dha fund copëzimit të skajshëm të territorit, duke e kaluar vendin nga 373 njësi të qeverisjes vendore në 61 bashki më të mëdha dhe me më shumë mundësi për të ushtruar funksionet e tyre. Dhjetë vjet më vonë, rezultatet e kësaj reforme janë të dukshme. Të ardhurat e veta të bashkive janë rritur ndjeshëm, detyrimet e prapambetura janë ulur, kapacitetet administrative janë forcuar dhe një pjesë më e madhe e buxheteve vendore është orientuar drejt investimeve dhe shërbimeve për qytetarët. Për herë të parë u ngrit gjithashtu një sistem kombëtar për matjen e performancës së bashkive.

Por pikërisht përvoja e këtyre dhjetë viteve ka nxjerrë në pah edhe sfida të reja. Shqipëria e vitit 2026 nuk është më Shqipëria e vitit 2014. Dinamikat demografike, ekonomike dhe territoriale kanë ndryshuar ndjeshëm, ndërsa zhvillimi ndërmjet bashkive mbetet i pabarabartë. Disa bashki kanë mundësi të investojnë, të tërheqin aktivitet ekonomik dhe të ofrojnë shërbime me standarde të larta, ndërsa të tjera përballen me tkurrjen e popullsisë aktive, me të ardhura të kufizuara dhe me mungesën e burimeve njerëzore të specializuara. Në të njëjtën kohë, përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian vendos përpara pushtetit vendor kërkesa të reja. Një pjesë shumë e madhe e legjislacionit europian, rreth 70%, zbatohet në nivel vendor, në fusha si planifikimi, mjedisi, menaxhimi i mbetjeve, transporti, zhvillimi ekonomik lokal dhe shërbimet publike. Edhe përfitimi nga fondet e ardhshme të kohezionit dhe të zhvillimit rajonal kërkon bashki me kapacitete të forta administrative, teknike dhe financiare.

Përballë këtij realiteti, kërkesat e qytetarëve dhe të palëve të përfshira ishin të qarta: bashki efikase, me kapacitete reale dhe me përfaqësueshmëri më të madhe; bashki të afta të funksionojnë në hapësirën europiane; ruajtje të identitetit vendor; ekuilibër ndërmjet efikasitetit dhe afërsisë me qytetarin; si dhe një zhvillim më të balancuar në të gjithë territorin. Pikërisht mbi bazën e këtyre kërkesave, anëtarët e grupit parlamentar të mazhorancës i propozojnë Kuvendit projektligjin për Reformën Administrativo-Territoriale. Bashkëlidhur këtij propozimi janë dërguar relacioni i projektligjit, raporti i detajuar analitik i ekspertëve të Komisionit, hartat, gjetjet dhe argumentet mbi të cilat mbështetet propozimi.

Çfarë ndryshon

Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Në organizimin e brendshëm të bashkive, si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave, gjetjeve të raportit analitik të ekspertëve dhe nevojës për një model më të mirë përfaqësimi, krijohet një nivel i ri organizimi vendor: “Qyteti”. Në këtë mënyrë, skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Qyteti merr një rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ. Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja. Ky konsolidim e ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Modeli i organizimit merr në konsideratë largësitë e skajshme, praninë e minoriteteve, vijueshmërinë gjeografike, aksesin rrugor dhe veçoritë identitare të territoreve.Për këtë arsye, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari apo Konispoli ruhen dhe trajtohen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve të tyre financiarë dhe demografikë. Projektligji krijon gjithashtu një njësi të re administrative, njësinë administrative Rinas, e cila përfshihet në Bashkinë e Tiranës, si pjesë e qytetit Tiranë. Ajo formohet nga fshatrat Rinas (Bashkia Krujë) dhe Bërxullë e Domje (Bashkia Vorë), duke bashkuar në një njësi të vetme territorin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe zonën ekonomike rreth tij. Argumenti ekonomik është përcaktues: zona funksionon sot si hapësirë e vetme ekonomike me kryeqytetin, porta ajrore e vendit, e lidhur me Tiranën përmes korridorit rrugor Tiranë–Rinas, me treg pune, infrastrukturë logjistike dhe interesa ekonomikë që gravitojnë tërësisht drejt saj, ndërkohë që ndarja e sotme administrative mes tri bashkive e fragmenton planifikimin e njërit prej aseteve strategjike kombëtare. Përfshirja e saj në një njësi të vetme nën Bashkinë e Tiranës mundëson planifikim të njësuar territorial e infrastrukturor të polit aeroportual dhe përgjegjësi të qartë institucionale mbi zhvillimin e zonës.

Hapat në vijim

Bashkive u kërkohet të shqyrtojnë propozimin, të paraqesin mendimin e kryetarit, të marrin një qëndrim në këshillin bashkiak dhe të organizojnë konsultimin me qytetarët. Çdo qëndrim, pro ose kundër, duhet të dëgjohet, të argumentohet dhe të bëhet pjesë e dokumentacionit që do t’i paraqitet Kuvendit. Bashkitë do të kenë 60 ditë në dispozicion për ta zhvilluar këtë proces. Ky nuk është fundi i procesit. Është momenti kur propozimi del nga Kuvendi dhe shkon aty ku duhet të diskutohet: në bashki dhe mes qytetarëve. Në cilësinë e Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm, z. Arbjan Mazniku u shpreh se është për të ardhur keq që politika e ditës nuk i lejoi Shqipërisë ta shfrytëzonte këtë mundësi të artë për një reformë të ndërtuar me konsensus të plotë. Sipas tij, parimet mbi të cilat mbështetet propozimi, përfaqësimi, efikasiteti, zhvillimi dhe forcimi ekonomik i bashkive, përbëjnë një bazë reale dhe të mundshme për të ndërtuar dakordësi dhe për t’i kthyer bashkitë e Shqipërisë në bashki europiane. Megjithatë, nuk është ende vonë. Propozimi që mazhoranca paraqet sot mbetet një bazë e fortë, mbi të cilën mund të ndërtohet dakordësia politike. Mazniku e ftoi sërish opozitën ta shqyrtojë këtë paketë me përgjegjësi shtetërore dhe, në vjeshtë, ta mbështesë së bashku me mazhorancën këtë reformë, jo për njërën palë apo tjetrën, por për Shqipërinë dhe për brezat që do të jetojnë në qytetet e saj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?