Rrëfimi i të moshuarve: Grabitësit i ranë ziles, ishin me armë dhe leva
Dy të moshuarit nga Vlora të cilët ranë pre e grabitjeve me armë dhe maska kanë rrëfyer momentet e tmerrit, kur 4 persona i dhunuan dhe më pas i grabitën
Resmi Osmai, pronari i shtëpisë, një i moshuar i sëmurë me paralizë, ka rrëfyer terrorin e përjetuar nga grabitësit në banesë gjatë natës.
Ai rrëfen se hajdutët ishin të armatosur dhe i kishin ranë ziles së shtëpisë dhe momentin kur gruaja e tij e ka hapur derën ata e kanë goditur.
Resmi Osmai: “Mbrëmë natën i ranë ziles së derës. Unë i thash gruas mos e hap derën, se në fakt 2 pleq ishim, djemtë i kam në Itali. Ngrihet gruaja hap derën. Sapo hap derën ishin dy veta aty, njëri me automatik dhe njëri me levë të gjatë dhe i ra në fytyrë gruas. Ajo ulërti dhe ra përtokë. U ngrita unë, siç isha i sëmurë, erdhi njëri më shtyu e më hodhi prap në krevat. Bënë kontroll, nuk lanë vend pa kontrolluar, i hodhën të gjitha të tokë.”
Resmiu u shpreh se grabitësit ishin me maska, 2 i torturonin brenda ndërsa autorët e tjerë ishin jashtë dhe se kishin ardhur vetëm për të marrë lekë.
Resmi Osmai: “Na thanë kemi ardhur vetëm për lekë, sduam gjë. Kishte rreth 200 mijë lekë të pensionit dhe na i morën. I hoqën varësen gruas edhe një unazë. 2 persona ishin që na torturonin. Ndërsa jashtë ishte njëri që na ruante. Ishin 3 ose 4 grabitës. Më morën telefonat dhe nuk kisha me çfarë të merrja në telefon policinë. Kisha një telefon të vogël që e vura në karikim për ti lajmëruar.”
Ai ndjehet i frikësuar dhe është kërcënuar nga hajdutët se nëse lajmëron policinë do ti vrasin.
Resmi Osmai: “Na kanë thënë mos merrni policinë sepse nëse e merrni do të vijmë t’ju zhdukim, do t’ju vrasim dhe mos dilni nga dera pa ikur neve. Jemi të frikësuar pasi na u futën në shtëpi. Policia duhet ti zbulojë.”/ORA

