Rrëshqitje dherash në aksin Gramsh-Kukur, kamioni në rrezik të përfundojë në greminë
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në aksin rrugor Gramsh–Kukur, një segment i njohur për vështirësitë që paraqet prej vitesh për banorët e zonës.
Sipas të dhënave nga terreni, në orët e para të mëngjesit një kamion i ngarkuar me produkte ushqimore, që po transportonte furnizime për dyqanet e njësisë administrative Kukur, ka mbetur i bllokuar në zonën e quajtur “Përroi i Pishave”. Shkak i situatës është bërë shembja e një pjese të rrugës, e cila është dëmtuar nga rrëshqitjet e dherave të shkaktuara nga moti i keq.
Mjeti ndodhet në një pozicion të rrezikshëm, shumë pranë buzës së rrugës, duke rrezikuar të rrëshqasë në greminë në çdo moment. Drejtuesi i kamionit ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të shmangur një aksident të mundshëm dhe për të siguruar nxjerrjen e sigurt të mjetit nga zona e rrezikut.
Si pasojë e shembjes së rrugës dhe bllokimit të kamionit, aksi Gramsh–Kukur është aktualisht i pakalueshëm, duke shkaktuar ndërprerje të plotë të qarkullimit në këtë segment. Kjo situatë ka sjellë vështirësi të mëdha për lëvizjen e banorëve lokalë, si dhe për furnizimin e zonës me mallra dhe shërbime bazë.
Banorët e zonës i kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për stabilizimin e terrenit dhe pastrimin e rrugës, në mënyrë që të rikthehet qarkullimi normal dhe të parandalohet përkeqësimi i mëtejshëm i situatës.
KOHA JONË SONDAZH

