Rritet bilanci i COVID-19. Në Shkodër shënohet viktima e radhës. Ministria: Vdiq nga hemorragjia cerebrale

Një tjetër viktimë nga Covid-19 është shënuar në Shkodër.  Mësohet se shtetasi me inicialet M.S, i cili ishte i shtruar në repartin e reaminacionit në Spitalin e Shkodrës ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Viktima ndërroi jetë në orën 04 e 30 minuta të mëngjesit të sotëm.

Pacienti ishte pozitiv me Covid-19. Mostra e pacientit për të bërë analizat ndaj Covid-19 është marrë mëngjesin e djeshëm, ku ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Ndërkohë sa i takon pacientëve të tjerë në Shkodër, mësohet se dy prej të shtruarve janë dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar, pasi rezultojnë pozitivë, ndërkohë që në Shkoder ndodhet vetëm 1 prekur me Covid 19 në repartin e dializës.
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas lajmit se një person në Shkodër ishte viktima e radhës e koronavirusit.
Në një sqarim zyrtar, ministria njofton se shkaku i vdekjes së pacientit 59-vjeçar ishte hemorragjia cerebrale.
“Nuk ka viktimë si pasojë e COVID-19 në Shkodër, shkaku i vdekjes së pacientit hemorragji cerebrale”, thekson në sqarim ministria.

“59-vjeçari, me inicialet M.S., nga Puka, ndodhej në gjendje kome në spitalin rajonal të Shkodrës, ka ndërruar jetë në spital, si pasojë e hemorragjisë cerebrale (aksident cerebral vascular) dhe jo si pasojë e COVID19, nga i cili ka rezultuar bartës ditën e djeshme, por pa simptoma të COVID19.

Sipas epidemiologëve dhe përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik që po kryejnë hetimin epidemiologjik në terren, dyshohet se ky rast është i lidhur me rastin e infermieres, e cila, sipas hetimit epidemiologjik, është infektuar në komunitet.

Nga rezultatet e testimeve të kryera në spitalin e Shkodrës, në 10 pacientë të shtruar që kanë qenë në kontakt me infermieren e infektuar, kanë rezultuar 4 pacientë të prekur, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të patologjive për të cilat po trajtohen, por pa simptoma përsa i takon COVID19.

Njëri prej tyre, 59-vjeçari me inicialet M.S. ka ndërruar jetë, ndërsa tre pacientë të tjerë që janë bartës të COVID19 janë transferuar gjatë ditës së sotme në dy spitalet COVID”, njofton ministria.

SHKARKO APP