Sektori i ndërtimit në rritje, mbi 1 158 leje të miratuara dhe 73,9 miliardë lekë investime
Sektori i ndërtimit ka vijuar trendin rritës gjatë vitit 2025, duke shënuar zgjerim si në numrin e lejeve të akorduara, ashtu edhe në vlerën e investimeve për ndërtesa dhe projekte inxhinierike.
Referuar të dhënave zyrtare të Instituti i Statistikave (INSTAT), në tremujorin e katërt të vitit janë miratuar 259 leje për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 340.477 metrash katrorë.
Investimet për ndërtimet e reja gjatë kësaj periudhe arritën në rreth 15,47 miliardë lekë, ndërsa për rikonstruksionet u regjistruan 735,4 milionë lekë. Paralelisht, u miratuan edhe punime inxhinierike me vlerë 2,61 miliardë lekë për objekte të reja dhe 608,9 milionë lekë për rikonstruksione. Në tërësi, projektet e aprovuara në këtë tremujor kapën vlerën afro 19,4 miliardë lekë.
Pjesën më të madhe të lejeve e zënë ndërtimet për banim, me 200 leje dhe 237.132 metra katrorë sipërfaqe, si dhe me një vlerë investimi prej 11,34 miliardë lekësh për objekte të reja. Brenda këtij segmenti, rezidencat për komunitete përfaqësojnë sipërfaqen më të madhe, me 153.651 metra katrorë dhe rreth 7,24 miliardë lekë investime, ndërsa ndërtesat me tre ose më shumë kate përbëjnë 58.919 metra katrorë me rreth 3,07 miliardë lekë.
Sa i takon ndërtesave jo-rezidente, janë dhënë 59 leje me një sipërfaqe prej 103.345 metrash katrorë. Në këtë kategori përfshihen hotele, objekte tregtare, industriale dhe ndërtesa shërbimi, me një vlerë investimi prej 4,13 miliardë lekësh për ndërtime të reja.
Në planin vjetor, gjatë 2025 janë miratuar gjithsej 1.158 leje për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe totale prej 1.304.606 metrash katrorë dhe një vlerë investimi prej 73,9 miliardë lekësh për ndërtesa dhe projekte inxhinierike.
Ndërtimet për banim vijojnë të dominojnë tregun, me 890 leje dhe 844.791 metra katrorë sipërfaqe, ndërsa objektet jo-rezidente përbëjnë 268 leje me 459.815 metra katrorë. Shifrat tregojnë se segmenti i banesave mbetet shtylla kryesore e zhvillimit të sektorit, ndërsa investimet në infrastrukturë dhe objekte me funksion ekonomik po mbështesin më tej zgjerimin e aktivitetit ndërtimor gjatë vitit 2025.
KOHA JONË SONDAZH

