Sekuestrohet pasuria e ”Eskobarit të Ballkanit”
Gjykata e krimeve të Rënda ka lejuar vendosjen e sekuestro preventive, për pronat e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”.
Sipas asaj që raporton Ora News, nën sekuestro mësohet se janë vendosur troje, biznese dhe apartamente që rezultojnë në emër të familjes Balili në Sarandë. Veprimet e policisë janë pjesë e një hetimi të nisur për pastrim parash për Klement Balilin, i cili rezulton i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.
Dyshohet se kjo pasuri dhe të tjera, në pronësi të 44-vjeçarit nga Saranda janë vënë me para të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Klement Balili është në kërkim që prej një viti pas urdhrit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në maj të vitit të kaluar, autoritetet greke pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi dhe vende të tjera të BE.

