Shembja e rrugës Librazhd. Bllokohen 3 km në të dyja anët e segmentit të shkatërruar në Dragostunjë

Rritja e fluksit të qarkullimit pas shembjes së segmentit të rrugës kombëtare në zonën e Arrave të Gurrës, në Dragostunjë të Librazhdit, ka vënë në lëvizje institucionet për të përforcuar ndjeshëm masat e sigurisë rrugore, si në akset alternative ashtu edhe në perimetrin e kantierit të punës.

Bashkia Librazhd, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, kanë vendosur sinjalistikë të qartë ndaluese dhe orientuese për mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët me kapacitet mbi 40 pasagjerë të cilëve nuk ju lejohet të qarkullojnë në akset rurale Spathar – Rruga Antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht dhe anasjelltas, si dhe në segmentin Dragostunjë – Hotolisht. Këto masa synojnë të shmangin mbingarkesën e rrugëve rurale, të cilat nuk janë projektuar për qarkullim të rënduar dhe tashmë përballen me fluks të shtuar automjetesh.

Monitorimi në terren po kryhet gjatë gjithë kohës nga të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit dhe Policia Bashkiake e Librazhdit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shtuar sinjalistikën orientuese dhe paralajmëruese në aksin kombëtar Elbasan – Gramsh – Moglicë – Strelcë – Lozhan – Maliq, i cili është kthyer në një arterie kyçe lidhëse mes kryeqytetit dhe rajonit juglindor të vendit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për shkak të rrezikut që paraqet zona e dëmtuar, Policia Rrugore në bashkëpunim me kompaninë ANK kanë vendosur bllokimin e plotë të perimetrit të sigurisë në segmentin e Arrave të Gurrës, në të dyja anët, në një distancë mbi 3 kilometra.

Kjo masë është thelbësore për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të lejuar vijimin pa ndërprerje të punimeve në kantier.

Në këto kushte, drejtuesit e automjeteve ftohen të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën e re, udhëzimet e shërbimeve policore dhe kufizimet e vendosura, duke treguar kujdes të shtuar në akset alternative, veçanërisht në segmentin Dragostunjë – Hotolisht dhe Spathar -Hotolisht dhe anasjelltas. Siguria rrugore në këtë fazë emergjente mbetet prioritet absolut, ndërsa bashkëpunimi i qytetarëve është vendimtar për të shmangur rreziqet dhe për të garantuar një qarkullim sa më të sigurt deri në normalizimin e situatës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?