Shkodër, kapen 41 m3 lëndë drusore, dy në pranga
Sekuestrohen 41 metër kub lëndë drusore si dhe 5 automjete që i transportonin në Shkodër. Burime zyrtare bënë me dije se në kuadër të operacionit “Roja e Gjelbër” në pranga kanë rënë dy persona Ndue Thepi, 38 vjeç dhe Ridvan Çelaj, 26 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Arrestimi i këtyre personave u bë pasi më datë 17, në rrugën e fshatit Domen, njësia administrative Postribë, janë kapur nga shërbimet policore duke transportuar 11 m3 lëndë drusore me automjetet e tyre tip “IFA” me targë TR 7421 D dhe SH 3697 E, pa dokumentacionin përkatës. Gjithashtu u gjetën të braktisura 3 automjete të tjera ku njëra prej tyre me targë SH 5587 E dhe 2 të tjerat pa targë, të ngarkuara me 30 m3 lëndë drusore në total dhe po punohet për identifikimin e autorëve.
Sakaq, lënda drusore dhe automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për të tjerë persona të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Prerje e paligjshme e pyjeve”.

