Shkodra gati për fluksin e turistëve, institucionet lokale nisin koordinimi për sezonin turistik 2026
Pas 12.5 milionë vizitorëve të regjistruar gjatë vitit 2025, institucionet në Shkodër kanë nisur përgatitjet për sezonin turistik 2026. Për këtë arsye në Velipojë u zhvillua takimi koordinues i Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, me pjesëmarrjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, dhe zëvendësministres së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Marinela Prifti.
Në hapje të takimit, prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, theksoi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për garantimin e një sezoni turistik të sigurt, të organizuar dhe me standarde të larta shërbimi. ”Qarku Shkodër ka potencial në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm. Për ne ka një përgjegjësi të shtuar në garantimin e standardeve të larta dhe ofrimin e shërbimit cilësor ndaj turistëve. Ne kemi garantuar sigurinë në plazhe dhe hapësira publike, administrimin e stacioneve të plazhit, monitorimin e mjeteve lundruese në zona turistike, menaxhimin e trafikut rrugor, furnizimin optimal me energji dhe ujë të pijshëm, menaxhimin e mbetjes, kontrollin e ndotjes akustike, mbrojtjen e mjedisit dhe garantimin e sigurisë ushqimore. Secila prej këtyre fushave kërkon vëmendje maksimale dhe reagim të shpejtë institucional, ndaj raportimi në kohë i ccdo problematike është i rëndësishëm”,-tha Duda.
Gjatë takimit u diskutuan masat për rritjen e sigurisë në plazhe dhe hapësira publike, menaxhimin e trafikut dhe parkimeve, administrimin e mbetjeve urbane, sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit, si dhe monitorimin e aktiviteteve në zonat turistike. Zëvendësministrat Xhemal Qefalia dhe Marinela Prifti theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve për të garantuar një sezon turistik sa më të suksesshëm.
“Shkodra ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Shifrat tregojnë se Shkodra është në rrugën e duhur. Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë rritje të qëndrueshme. Në 2025 kemi pasur 12.5 milionë vizitorë. Ne synojmë të kemi rritje të net qëndrimeve të vizitorëve. Mesatarja është 2.5 netë dhe duam ta dyfishojmë. Është i nevojshëm kontributi i të gjitha institucioneve” tha Prifti.
Pjesëmarrësit vlerësuan se rritja e numrit të vizitorëve në Qarkun Shkodër krijon mundësi të reja për zhvillimin e turizmit, por njëkohësisht kërkon angazhim të shtuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, deklaroi se Bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat e nevojshme për sezonin turistik, duke garantuar funksionimin e hapësirave publike dhe të plazheve të menaxhuara nga bashkia sipas standardeve të kërkuara.
“Kemi marrë masat e nevojshme që ky sezon të jetë më i mirë se ai i kaluari. Në Velipojë janë marrë masat konkrete për menaxhimin e plazheve. Janë miratuar hartat për të gjitha parcelat dhe miratuar planvendosjet për të gjitha subjektet që kanë aplikuar” tha Preka. Objektivi i përbashkët i institucioneve mbetet ofrimi i shërbimeve cilësore dhe promovimi i Shkodrës si një destinacion turistik i sigurt, mikpritës dhe i qëndrueshëm gjatë sezonit veror 2026.
KOHA JONË SONDAZH

