Shpërndahen 250 pako ushqimore/ Veliaj: Mbajtëm premtimin për hapjen e mensave sociale
Bashkia e Tiranës këtë në bashkëpunim me një bankë të nivelit të dytë kanë shpërndarë 250 pako ushqimore për familjet në nevojë.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se bashkia mbajti premtimin për hapjen e tre mensave sociale, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
Veliaj: Një shoqëri e mirë është një shoqëri e cila gjen dashamirësi, solidaritet për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Përgjegjësinë kryesore e ka bashkia, por besoj se edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në shoqëri, si bankat, kompanitë, bizneset, të gjithë mund të japin një dorë, sidomos në kohë të tilla siç është koha e festave.
Veliaj deklaroi se me hapjen e mesave sociale, Bashkia e Tiranës ka krijuar një mundësi më shumë për njerëzit në nevojë.
Veliaj: E mbajtëm një premtim këtë vit, hapëm tre menca sociale. E para në Laprakë, e dyta në Kombinat, dhe e treta në Shkozë, për t’u siguruar që asnjë qytetar i Tiranës, sado nevojtar të jetë, të mos e ngrysë ditën pa një vakt të ngrohtë. Kjo është diçka që e premtova para një viti, e kemi mbajtur fjalën për një vit, por besoj që s’na pengon asgjë që ta shtojmë këtë lloj dashamirësie e këtë lloj solidariteti përtej këtyre tre mensave.
Por, pavarësisht vështirësive, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje familjeve që t’i kushtojnë vëmendje arsimimit të fëmijëve.
Veliaj: Është shumë e rëndësishme që ata të vazhdojnë shkollën, të shkojnë në kopësht. Po bëjmë çmos që edhe në kopësht, në çerdhe, në shkolla të kemi ndihma për fëmijët sepse besoj se kjo është një zgjidhje afatshkurtër, por arsmimi i tyre, është bileta për të dalë nga varfëria.

