Shpërthim i madh në uzinën e Ballshit, një i vdekur dhe 7 të plagosur
Shpërthimi i fuqishëm që ndodhi mbrëmë në Rafinerinë e Përpunimit të Naftës në Ballsh shkaktoi vdekjen e një punonjësi të Rafinerisë së Përpunimit të Naftës në Ballsh dhe plagosjen e 7 të tjerëve.
Viktima u identifikua si Shkëlqim Muça, 40 vjeç nga Ballshi, i cili ishte më afër zonës ku shpërthyen flakët e para
Ndërkohë edhe një tjetër person është në gjendje kritike për jetën, si pasojë e plagëve të shumta. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00, në Repartin nr.3, në seksionin 92. Sipas Policisë, në këtë repart ku po punonin 15 punonjës, shpërtheu një valvul e pompës së hidrogjenit. Mësohet se prej gati 5 ditësh në repartin e njohur si ai i hidropastrimit ishte prishur një kompresor, i cili nuk ishte riparuar.
Në ambientet e repartit ku shpërtheu zjarri janë plagosur 7 punonjës, të cilët ishin më afër vatrës. Njëri prej tyre ndërroi jetë, pikërisht Shkëlqim Muça, 40 vjeç, nga Ballshi, ndërsa të tjerët janë dërguar në spitalin e qytetit e më pas në Fier e në Tiranë për mjekim të specializuar.
Në momentet e zjarrit, në të gjithë uzinën ishin në turn 300 punonjës, të cilët janë larguar me shpejtësi nga ambientet e punës. Zjarrfikëse nga Ballshi, Fieri, Tirana e Vlora shkuan në uzinë për të bërë të mundur izolimin e flakëve. Rreziku më i madh qëndronte te reparti ngjitur, ai i reaktorëve, pasi nëse flakët depërtonin aty, atëherë mund të ndodhte një katastrofë e vërtetë.

