Shqipëria po shpopullohet, rinia po ikën, qeveria do t’i zëvendësojë me emigrantë

Gjatë 8 viteve të fundit llogaritet se 300- 400 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi. Arsyeja kryesore e këtij eksodi masiv është mungesa e punës, pagat e ulëta dhe sigurisht keqqeverisja. Këtë problem të rëndë demografik dhe social me pasoja për të ardhmen e vendit, qeveria “Rama” ka vendosur ta zgjidhë në mënyrën më ekstreme. Shqiptarët që ikin do të zëvendësohen me punëtorë emigrantë nga vendet e botës së tretë ose zonat e konfliktit. Projekti që përflitej prej kohësh në media tashmë është kthyer në ligj dhe do të votohet në Kuvend në ndryshimet e ligjit “Për të huajt”.

Një strategji e tillë është jo vetëm e gabuar, por edhe anti kombëtare. T’i lëmë mënjanë për një moment pallavrat raciste dhe reagimet kundër kësaj ideje si qëndrime anti-njerëzore dhe anti-emigracion. Shqiptarët janë një popull emigrantësh që e njohin shumë mirë se çfarë do të thotë të jetosh dhe punosh në një vend të huaj. Ndaj nuk ka vend për të kundërshtuar ndihmën ndaj emigrantëve, apo lehtësira që mund të krijojë shteti shqiptar për personat që vijnë për azil. Debati për këtë projekt ligj nuk është nëse je pro apo kundër emigracionit, por çfarë ka bërë qeveria që të ndalë eksodin e shqiptarëve. Deri më sot duhet thënë se nuk ka bërë asgjë. Madje, në 7 vite qeveria “Rama” ka bërë çdo gjë që numri i shqiptarëve që duan të ikin të jetë edhe më i madh.

Argumentet që jep PS dhe qeveria kundër këtij projektligji janë fyese për inteligjencën e çdo shqiptari dhe tallje me ata emigrantë shqiptarë që sot udhëtojnë më kamionë në Angli apo flenë në anijet dhe maunet drejt vendeve të BE. Sekretari i PS-së, Taulant Balla tha se punëtorët e huaj duhen pasi në Shqipëri mungon krahu i punës. Në mënyrë naive, tha se do nis procesi i rindërtimit për banesat e tërmetit dhe Shqipëria nuk ka punonjës. Gjithë shqiptarët, punëtorë ndërtimi, që kërkojnë punë te Ushtari i Panjohur apo në cepat e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Fierit, Shkodrës, etj., duhet të ndjehen të fyer. Qeveria “Rama” jo vetëm nuk po i llogarit si të papunë dhe qytetarë të këtij shteti, por po i zëvendëson me emigrantë të huaj.

Para se të miratohen ligje për punëtorë të huaj, qeveria duhet të nxjerrë të dhënat sa është numri i personave të papunë në Shqipëri? Sa është numri i atyre që ka punësuar? Sa është numri i atyre që sot jetojnë në varfëri ekstreme dhe sa janë ata që kërkojnë vetëm një mundësi për të fituar para në rrugë të ndershme? Këto llogari nuk janë bërë ndonjë herë seriozisht, por zyrat e punës janë përdorur vetëm për propagandë. Mjafton që përfaqësuesit e shtetit të shkojnë në pikat doganore dhe të pyesin për po ikin shqiptarët që ikin me çanta në krah në një vend tjetër. Përgjigjet janë të njëjta; mungesa e punës dhe pagat e ulëta. Nëse zgjidhë këto probleme qeveria, nuk ka nevojë për emigrantë dhe Shqipëria nuk do të kërcënohet nga shpopullimi.

Shqiptarët nuk janë kundër emigrantëve. Janë kundër një qeverie që i ka detyruar të emigrojnë nga sytë këmbët dhe tashmë po shohin se po zëvendësohen me emigrantë në shtëpitë e tyre.

Një qeveri serioz krizën demografike dhe shpopullimin nuk e zgjidhë me punëtorë të gatshëm, por me strategji që i bën të rinjtë shqiptar që ta ëndërrojnë të ardhmen e tyre këtu.

SHKARKO APP